Mpiksja e gjakut në vena, (TTHV)
Tromboza e thellë venoze (TTHV) është formimi i një trombi në një venë të thellë brenda një muskuli në trup. Zakonisht shfaqet në këmbë, por mund të zhvillohet edhe në duar, gjoks ose pjesët tjera të trupit.
Edhe pse është shumë e shpeshtë, tromboza e thellë venoze nganjëherë mund të jetë shumë e rrezikshme. Trombi mund ta bllokojë qarkullimin e gjakut në një ene në mushkëri, tru, zemër ose në ndonjë organ tjetër, duke shkaktuar dëmtim të rëndë të organit ose vdekje.
TTHV mund ta ndërpresë pjesërisht ose plotësisht qarkullimin e gjakut duke shkaktuar dhimbje kronike dhe ënjtje. Mund t’i dëmtojë valvulet në enët e gjakut duke e bërë të vështirë lëvizjen.
Trombi i gjakut, po ashtu, mund të shkëputet dhe të lëvizë në drejtim të organeve vitale. Atje mund të shkaktojë dëm më të madh, ndërsa mund ta shkaktojë vdekjen vetëm brenda disa orësh.
Gjysma e rasteve me trombozë të thellë venoze nuk shkaktojnë simptoma. Nëse keni ndonjërin nga simptomat e shënuar më poshtë, sidomos nëse shfaqen papritur, atëherë vizitojeni mjekun:
- Ënjtje në njërën ose të dyja këmbët
- Dhimbje ose ndjeshmëri në njërën ose të dyja këmbët, që ndodh vetëm nëse jeni në këmbë ose duke ecur
- Nxehtësi në lëkurën e këmbës së prekur
- Vena të dukshme sipërfaqësore
- Lodhje të këmbëve
Nëse trombi shkëputet dhe arrin në mushkëri, kjo quhet emboli pulmonare dhe mund të jetë fatale. Embolia pulmonare mund të mos japë simptoma, por nëse papritmas keni kollitje, dhimbje të mprehtë në gjoks, frymëmarrje të shpejtë ose gulçitje gjatë frymëmarrjes, marramendje dhe kokëdhimbje – atëherë thirreni ndihmën e shpejtë ose paraqituni në repartin e emergjencës.