Sëmundjet me shkronjën: L, Ll

Çfarë është psoriaza?

Psoriaza është një sëmundje afat-gjate (kronike) e lëkurës e cila nxit paraqiten e njollave të trasha të lëkurës me ngjyrë të kuqe, të bardhë ose të argjendtë.

Te lëkura normale, qelizat e lëkurës zhvillohen gradualisht dhe ndërrohen mesatarisht çdo katër javë. Qelizat e reja të lëkurës zhvillohen në brendi duke zëvendësuar ato të shtesave të jashtme, të cilat bien. Por te psoriaza, qelizat e reja të lëkurës dalin më shpejt në sipërfaqe të lëkurës, gjë që ndodh brenda disa ditëve, në vend të disa javëve. Ato grumbullohen njëra mbi tjetrën dhe formojnë njolla në formë fashe të quajtura pllakëza.

Madhësia e këtyre pllakëzave në lëkurë mund të ndryshojë nga të vogla deri te të mëdha. Këto njolla më së shpeshti paraqiten në gjunjë, bërryla, në lëkurën e kokës, duar, këmbë, ose në pjesën e poshtme të shpinës. Por, këto janë zonat ku ajo më së shumti paraqitet, edhe pse ajo mund të prekë edhe çdo pjesë të trupit.

Ky problem i lëkurës më së shpeshti paraqitet te të rriturit. Por fëmijët dhe tinejxherët po ashtu mund të preken nga kjo. Ajo mund t’i bëjë njerëzit të ndjehen të turpshëm dhe shumë prej tyre, veçanërisht tinejxherë, shmangin ekspozimin e këtyre njollave, si për shembull duke mos dalë në pishina ose raste tjera ku ekspozohet lëkura. Por ka shumë mjekime të cilat mund ta mbajnë psoriazën nën kontroll.

Shkaktarët e saktë së psoriazës nuk dihen por ekspertët besojnë se në këtë është i përfshirë sistemi mbrojtës i organizmit (sistemi imun). Sëmundja po ashtu ka prirje për t’u trashëguar nëpër familje.

Njollat e vogla të psoriazës shpesh mund të mjekohen duke përdorë rregullisht kremra që përmbajnë josteroide. Produktet e katranit (losionet, xhelet dhe shampootë) po ashtu mund të jenë të efektshme, edhe pse ato mund ta shtojnë ndjeshmërinë në diell. Ekspozimi i kufizuar në diell po ashtu mund të ndihmojë; lëkura e paprekur duhet të mbrohet me kremra të diellit. Nëse psoriaza prek lëkurën e kokës, shamponët kundër zbokthit mund të ndihmojnë. Te rastet më të ashpra të psoriazës, ajo mund të mjekohen me preparate më të fuqishme të përshkueshme nga mjeku dhe/ose terapi me dritë ultravjollce.

Simptomat e psoriazës janë këto:

– zona të skuqura dhe të ndritshme në lëkurë (pllakëza), shpesh të mbuluara me luspa të “çliruara” me ngjyrë argjendi. Këto mund të paraqiten kudo, por janë specifike për disa zona të caktuara (gjunjë, bërryla, në lëkurën e kokës, duar, këmbë dhe shpinë). Afro 90 për qind të njerëzve me psoriazë e kanë versionin “pllakëzor” të psoriazës
– zona të vogla me gjakderdhje kur luspat e lëkurës shkëputen ose ngacmohen
– pllakëza të ngritura mesatarisht ose të trasha të thata (shtresë në formë koreje) në lëkurën e kokës
– të kruara veçanërisht gjatë shpërthimit ose kur njollat e psoriazës janë në zona më delikate ku fërkohet lëkura, si nën gjinj ose në mes të këmbëve
– problemet me thonj po ashtu janë të shpeshta, veçanërisht te psoriaza e ashpër. Në këtë grup bëjnë pjesë:

  •  gropëza të holla në thonj (të cilat nuk janë pasojë e infeksioneve me kërpudha)
  •  ndryshim ngjyra në të verdhë të thonjve të këmbëve dhe ndonjëherë edhe të gishtave
  •  ç’kapje e thoit nga shtrati i tij
  •  më rrallë, një grumbullim i lëkurës nën thua.

Nga simptomat tjera më të rralla të psoriazës mund të përshihen edhe:

  • Pllakëza të ngjashme në të njëjtat zona të të dyja anëve të trupit (për shembull, të dy gjunjët ose të dy bërrylat).
  • Shpërthime të shumë njollave në formë të pikave të shiut. I njohur në mjekësi si “guttate psoriasis” kjo sëmundje shpesh vjen si pasojë e ndonjë infeksioni me streptokok dhe është lloji i dytë më i shpeshtë i psoriazës. Ky lloj prek deri në 10 për qind të personave me psoriazë.
  • Ënjtje, ndjeshmëri dhe dhimbje në nyja (artriti psoriatik).

Fenomeni Koebner mund të paraqitet kur një person me psoriazë ka një lëndim (si një prerje, djegie ose ekspozim të tepruar në diell) të zonës së kurës e cila nuk është e prekur nga psoriaza. Njollat e psoriazës më pas paraqiten në lëkurën e lënduar ose në cilëndo pjesë tjetër të lëkurës nga disa ditë deri në dy javë pas lëndimit. Pasi ky reaksion është i shpeshtë, është e rëndësishme për njerëzit të cilët vuajnë nga psoriaza të shmangin irritimin ose lëndimin e lëkurës së tyre.

Disa probleme të tjera të lëkurës kanë simptoma të ngjashme me psoriazën. Disa reaksione të barnave mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme me psoriazën (si lëkurë të skuqur). Bisedoni me mjekun tuaj për barnat të cilat i përdorni.

/Mjeku.Net/