Sëmundjet me shkronjën: K

Kush sëmuret nga migrena?

Femrat sëmuren më shpesh se meshkujt nga migrena, ndërsa një e katërta e femrave me migrenë kanë katër ose më shumë sulme brenda një muaji, 35 për qind e tyre përjetojnë një deri në katër sulme të rënda brenda muajit, ndërsa 40 për qind përjetojnë një sulm të rëndë brenda një muaji.

Një sulmi migrenës mund të zgjasë nga katër orë deri në tri ditë. Rrallëherë mund të zgjasë më shumë.

A trashëgohet migrena?

Po, migrena ka tendencë për t’u trashëguar. Katër nga pesë vuajtës nga migrena kanë histori familjare me këtë sëmundje. Nëse njëri prind vuan nga migrena, fëmija ka 50 për qind gjasa që ta zhvillojë atë, ndërsa nëse të dy prindërit vuajnë nga migrena, atëherë rreziku rritet në 75 për qind.

Simptomat e kokëdhimbjes migrenoze mund të shfaqen në kombinime të ndryshme dhe përfshijnë:

  • Dhimbje që mund të lëvizë nga njëra anë e kokës në tjetrën ose mund ta përfshijë pjesën e përparme të kokës, ose gjithë kokën.
  • Ndjeshmëri ndaj dritës, zhurmës dhe aromave
  • Nauze dhe vjellje, shqetësim në lukth, dhimbje barku
  • Ndjenjë se trupi është shumë i nxehtë ose i ftohtë
  • Zbehje
  • Lodhje
  • Marramendje
  • Shikim i turbulluar
  • Barkqitje
  • Ethe (rrallë).

Shumica e migrenave zgjatin rreth katër orë, edhe pse format e rënda mund të zgjasin deri në një javë. Frekuenca (shpeshtësia) e migrenave dallon te individët. Është e zakonshme që një i sëmurë me migrenë të përjetojë dhimbjen nga dy deri në katër herë në muaj. Disa njerëz mund të kenë sulm çdo dy ditë, derisa të tjerët vetëm një ose dy herë në vit.

Llojet e migrenës

Në bazë të simptomave të fillimit të migrenës, dallojmë dy tipa:

  • Migrena me aurë (e njohur si migrena klasike).
  • Migrena pa aurë (e njohur si migrena e shpeshtë).

Aura është një shenjë paralajmëruese fiziologjike që tregon se do të fillojë migrena. Migrena me aurë shfaqet te 20%-30% e të sëmurëve. Aura mund të ndodhë një orë para se të fillojë dhimbja dhe mund të zgjasë nga 15 minuta deri në një orë. Aurat vizuale përfshijnë:

  • Njolla të ndritshme ose drita
  • Njolla të verbra
  • Shikim i shtrembëruar
  • Humbje e përkohshme e shikimit
  • Linja të valëzuara ose dhëmbëzore

Ekzistojnë edhe aura që mund të prekin shqisat tjera. P.sh. zhurma në vesh (tinitus), ndryshime në nuhatje, shije apo prekje.
Rrallëherë ndodh që te migrena të shfaqen këto aura neurologjike:

  • Migrena hemiplegjike. Paralizë e përkohshme ose ndryshime ndijore në njërën anë të trupit. Fillimi i kokëdhimbjes mund të shoqërohet me mpirje, marramendje ose ndryshime vizive.
  • Migrena retinale. Humbje e përkohshme e shikimit të pjesërishëm ose të plotë në njërin sy, së bashku me dhimbjen prapa syrit që mund të përhapet në gjithë kokën.
  • Migrena e arteries bazilare. Marramendja, konfuzioni ose humbja e baraspeshës mund t’i paraprijnë kokëdhimbjes. Dhimbja mund të shfaqet në pjesën e pasme të kokës. Këto simptoma shfaqen befas dhe mund të shoqërohen me paaftësi për të folur mirë, ushtimë në vesh dhe vjellje.
  • Statusi migrenoz. Një formë e rrallë dhe e rëndë e migrenës që zgjat 72 orë ose më shumë. Dhimbja dhe nauzea janë aq të shprehura, saqë njerëzit që e kanë këtë lloj kokëdhimbjeje duhet të hospitalizohen. Barnat e ndryshëm ose abstenimi nga barnat mund ta shkaktojnë këtë sindromë migrenoze.
  • Migrena oftalmologjike. Dhimbje rreth syrit, duke përfshirë edhe paralizën në muskujt që e rrethojnë syrin. Simptomat tjera janë ulje e qepallës, shikim i dyfishtë ose ndryshime të tjera vizive. Është formë e rrallë e migrenës.

Migrenat pa aura janë më të shpeshta dhe shfaqen te 80% e të vuajtësve nga migrena. Disa orë para fillimit të kokëdhimbjes, personi mund të përjetojë:

  • Ankth
  • Depresion
  • Lodhje.