Sëmundjet me shkronjën: K

Çfarë është thjerrëza e syrit?

Syri funksionon pak a shumë si një kamerë. Drita futet në sy, kalon nëpër korne (një lëng i tejdukshëm në pjesën e përparme të syrit), pastaj nëpër bebëz dhe në thjerrëz. Thjerrëza është një pjesë e pastër (e tejdukshme) e syrit e cila ndihmon fokusimin e dritës ose të pamjes (objekteve) në retinë. Retina është një ind (shtresë) i ndjeshëm ndaj dritës në pjesën e pasme të syrit.

Te syri normal, drita kalon nëpër thjerrëzën e tejdukshme dhe fokusohet në retinë. Sapo të arrijë në retinë, drita shndërrohet në sinjale nervore të cilat më pas dërgohen në tru përmes nervit optik.

Thjerrëza duhet të jetë e pastër ashtu që retina të pranojë pamje të qarta (të kthjellëta). Nëse thjerrëza është e turbullt si pasojë e kataraktit, pamjet që ju shihni do të jenë të mjegullta.

Pra katarakti ndodh kur ka grumbullime të proteinave në thjerrëz të cilat e bëjnë atë të mjegullt. Qelizat e reja të thjerrëzës zakonisht krijohen nga jashtë, që bën që qelizat e vjetra (dhe të vdekura) të grumbullohen brenda. Ato më pas pengojnë që drita dhe pamjet e ambientit të jashtëm të kalojnë në mënyrë të kthjellët nëpër thjerrëz.

Cilat janë simptomat e kataraktit?

Katarakti zakonisht formohet ngadalë dhe jep vetëm pak simptoma derisa fillon të bllokojë dritën në nivel sa ai bëhet i dukshëm.

Kur simptomat janë të pranishme ato përfshijnë:

  • Pamje e cila është e mjegullt, turbullt, e errët ose sikur shihni nëpër ndonjë cipë (pëlhurë). Prandaj, kjo sëmundje në popull quhet edhe perdja e syrit.
  • Shkurtpamësia progresive te të moshuarit, që shpesh e quajtur “shikim e dytë” pasi ata mund të mos kenë më nevojë për syze.
  • Ndryshime në mënyrën se si ju e shihni ngjyrën. Ngjyrat mund të duken më të zbehta ose sikur iu ka dalë ngjyra, pasi thjerrëza e turbullt vepron si filtër duke humbur një pjesë të ngjyrës.
  • Probleme në vozitje gjatë natës, kjo pasi shkëlqimi nga dritat e veturave që vijnë në drejtim të kundërt ose edhe dritat e rrugës mund të jetë shumë pengues.
  • Probleme me dritën gjatë ditës. Drita e diellit mund të jetë e padurueshme për syrin me katarakt.
  • Pamje e dyfishtë. Personi mund të shohë nga dy ose më shumë herë objektet në syrin që ka katarakt. Kjo simptomë mund të largohet me kalimin e kohës, kur katarakti bëhet më i shprehur
  • Ndryshime të menjëhershme në syzet e përshkruara.

Këto simptoma po ashtu mund të jenë shenjë e ndonjë problemi tjetër shëndetësor. Nëse keni ndonjërin prej këtyre shenjave, kontrolloni sytë tuaj te specialisti i syve.