Sëmundjet me shkronjën: K

Çfarë është konstipacioni?

Konstipacioni është një problem shumë i shpeshtë digjestiv, që e bën të vështirë për ju të keni zbrazje të zorrëve. Shumica e njerëzve kanë zbrazje të zorrëve së paku një herë në ditë, por kjo ndryshon nga personi në person. Zakonisht quhet normale kur zbrazja e zorrëve ndodh tre herë në ditë deri në tre herë në javë. Nëse ajo është më e rrallë se tre herë në javë, atëherë ju keni konstipacion.

Gjatë konstipacionit, fecesi (jashtëqitja) zakonisht bëhet i fortë, i thatë, i paktë në madhësi dhe bëhet i vështirë për t’u eliminuar. Disa njerëz të cilët kanë kapsllëk kanë dhimbje gjatë zbrazjes së zorrës dhe shpesh duhet t’i japin zor për të nxjerrë fecesin. Ata mund të ndjehen të fryrë dhe sikur e kanë zorrën e mbushur, edhe pse sapo e kanë pastruar atë.

Disa njerëz mendojnë se kanë konstipacion pse nuk kanë zbrazje çdo ditë. Por, e përsërisim edhe njëherë, eliminimi i fecesit mund të jetë edhe tre herë në ditë ose tre herë në javë.

Konstipacini (kapsllëku) është simptomë, nuk është sëmundje në vete. Po thuajse të gjithë ju keni përjetuar kapsllëk ndonjëherë në jetë, dhe sigurisht se e keni vërejtur se kjo ka qenë pasojë e të ushqyerit të keq. Shumica e probleme me konstipacionin janë të përkohshme dhe jo serioze. Nëse ju i kuptoni shkaktarët, parandalimin dhe mjekimin, kjo do t’ju ndihmojë të lehtësoni nëse keni probleme të kësaj natyre.

Çfarë e shkakton konstipacionin?
Derisa ushqimi që ju hani kalon nëpër traktin digjestiv, trupi juaj thith lëndët ushqyere dhe ujin nga ushqimi që ju konsumoni. Gjatë këtij procesi nga pjesa e mbetur krijohet fecesi, që lëviz drejt anusit përmes kontraksioneve të muskujve.
Janë një varg shkaktarësh që mund të bëjnë ushqimi i konsumuar të lëvizë më ngadalë nëpër zorrë, që për pasojë ka konstipacionin. Ju mund t’i ndihmoni këtij procesi nëse nuk shkoni me rregull në nevojtore kur keni nevojën për të zbrazur zorrën, nëse nuk pini shumë lëngje, nuk stërviteni mjaftueshëm ose nuk hani ushqim të pasur me fibra, dhe nëse merrni barna të caktuara ose nëse përdorni laksativë rregullisht. Konstipacioni po ashtu është shumë i shpeshtë te femrat shtatzëna.
Çfarë e shkakton konstipacionin te fëmijët?
Konstipacioni te fëmijët shkaktohet nga të njëjtët shkaktarë si te të rriturit. Për shembull, ka gjasa që kjo të paraqitet kur fëmija nuk pi mjaft ujë, qumësht ose lëngje të tjera, nëse fëmija juaj nuk ha ushqim të shëndetshëm dhe të pasur me fibra. Fibrat gjendet në ushqime si drithëra, fruta dhe perime. Nëse fëmija juaj ha ushqim të pasur me yndyra dhe sheqer të përpunuar (bonbone dhe ëmbëlsira), ai ose ajo sigurisht nuk do të konsumojë mjaft fibra, që mund të rezultojë me konstipacion.
Konstipacioni po ashtu mund të fillojë kur ju e ndërroni foshnjën tuaj nga qumështi i gjirit në formula (qumësht pluhur) ose qumësht lope, dhe kur ju filloni t’i jepni fëmijës ushqime të ngurta. Ndonjëherë kapsllëku ndodh pasi fëmija juaj ka qenë i sëmurë ose ka konsumuar barna të caktuara. Ju nuk duhet të shqetësoheni nëse fëmija juaj bëhet kaps për një periudhë të shkurtër. Kapsllëku është i shpeshtë te fëmijët dhe zakonisht largohet vetë.
Fëmijët e rinj të cilët kanë konstipacion kronik shpesh injorojnë nevojën për të zbrazur zorrët. Fëmija juaj mund të mos dëshirojë ta ndërpresë lojën, ose mund të ketë frikë ose turpërohet ta pyesë mësuesin për të përdorur një nevojtore publike. Kur një fëmijë shmang zbrazjen e zorrëve, fecesi mblidhet në pjesën e fundit të zorrëve (rektum). Fecesi po ashtu bëhet më i madh dhe më i fortë. Nxjerrja e fecesit jashtë mund të jetë e dhimbshme dhe e bën fëmijën tuaj të dëshirojë të shmangë zbrazjen edhe më shumë.

Sa shpesh duhet të zbrazi zorrët?

Nuk ka një numër të caktuar se sa herë duhet të eliminoni fecesin. Disa persona dalin jashtë një herë në ditë, por kjo nuk konsiderohet si rregull. Si kufij normal llogaritet zbrazja e zorrëve nga tre në ditë deri në tre herë në javë. Ju mund të bëheni kaps nëse filloni të zbrazni shumë më rrallë se sa e bëni këtë zakonisht.

Si ta kuptoj nëse fëmija im është bërë kaps?

Fëmija juaj mund të jetë bërë kaps nëse një ose disa prej pikave të mëposhtme janë të sakta:

  • Ai ose ajo ka më pak se sa tre zbrazje të zorrëve në javë
  • Fecesi është i fortë, i thatë dhe me madhësi të pazakonshme
  • Fecesi del jashtë me vështirësi.

Për disa fëmijë, është normale të zbrazin zorrët çdo disa ditë. Nëse fëmija juaj është ose jo me kapsllëk kjo varet se sa shpesh ai ose ajo zbraz zorrën dhe sa me lehtësi e bën këtë. Nëse fecesi është i butë dhe del me lehtësi, edhe dalja jashtë më rrallë nuk është problem. Nëse fecesi është i fortë dhe kalon me vështirësi, fëmija juaj sigurisht ka kapsllëk. Nëse fëmija juaj ka probleme me konstipacionin për më shumë se dy javë, atëherë kjo quhet konstipacion kronik.