Sëmundjet me shkronjën: K

Kanceri i kolonit është kanceri i cili formohet në indin e kolonit (pjesës më të gjatë të zorrës së trashë). Shumica e kancereve të kolonit janë adenokarcinoma (kancere të cilat fillojnë në qelizat të cilat ndërtojnë mukozën dhe që lëshojnë mukus ose lëngje të tjera). Kanceri i kolonit dhe ai rektal (së bashku) rreshtohen në vendin e tretë të kancerëve më të përhapur në botë.

Koloni dhe rektumi

Koloni dhe rektumi janë pjesë të sistemit tretës. Ata formojnë një kanal të gjatë muskulor të quajtur zorra e trashë. Koloni paraqet 120 deri në 150 centimetrat e para të zorrës së madhe, dhe rektumi paraqet disa centimetrat e fundit të saj.

Ushqimi pjesërisht i tretur në zorrën e hollë më pas futet në zorrën e trashë, saktësisht në kolon. Koloni thith ujin dhe lëndët ushqyese nga kjo pjesë e mbetur dhe e shndërron pjesën tjetër të mbeturinë (feces). Kjo mbeturinë kalon nga koloni në rektum dhe pastaj del prej organizmit përmes anusit.

Qelizat kanceroze – njohuri bazike

Kanceri fillon në qelizat, blloqet të cilat ndërtojnë indet. Indet më pas ndërtojnë të gjitha organet tjera në organizëm.

Qelizat normale të organizmit rriten dhe ndahen në një mënyrë të kontrolluar, në varësi të nevojave të organizmit. Kur qelizat normale plaken ose dëmtohen, ato vdesin dhe krijohen qeliza të reja në vend të tyre.

Ndonjëherë ky proces nuk zhvillohet siç duhet. Qelizat e reja krijohen kur organizmi nuk ka nevojë për ta dhe qelizat e dëmtuara nuk vdesin siç duhet. Krijimi i qelizave shtesë shpesh krijon një masë të indit të quajtur tumor.

Tumoret mund të jetë beninje (jo kanceroze) ose malinje (kanceroze).

Tumoret beninje nuk janë kanceroze:

  • Rrallë janë kërcënuese për jetën
  • Mund të largohen dhe zakonisht nuk kthehen
  • Nuk pushtojnë inde të tjera rreth tyre
  • Nuk shpërndahen në pjesë të tjera të organizmit.

Tumoret malinje janë kanceroze dhe:

  • Mund të jenë kërcënuese për jetën
  • Zakonisht mund të largohen, por ndonjëherë kthehen
  • Mund të pushtojnë dhe dëmtojnë indin dhe organet rrethore
  • Mund të shpërndahen në pjesë të tjera të organizmit.

Kur kanceri kolorektal shpërndahet jashtë kolonit dhe rektumit, qelizat kanceroze shpesh gjendet në nyjat limfatike në afërsi. Nëse qelizat kanceroze kanë arritur në këto nyja, ato mund të jenë shpërndarë edhe në nyjat tjera ose organet limfatike. Kanceri kolo-rektal më së shpeshti shpërndahet në mëlçi.

Kur kanceri shpërndahet nga vendi origjinal në një pjesë tjetër të trupit, formohet tumor i ri me të njëjtat qeliza anormale dhe me të njëjtin emër si tumori origjinal (primar). Për shembull, nëse kanceri kolorektal shpërndahet në mëlçi, qelizat kanceroze në mëlçi në fakt janë qeliza kanceroze kolorektale. Sëmundja quhet kancer kolorektal metastatik, jo kancer i mëlçisë. Për këtë arsye, ai trajtohet si kancer kolorektal, dhe jo si kancer i mëlçisë. Tumori i ri quhet edhe tumor i largët ose metastatik.