Sëmundjet me shkronjën: K

Çdo vit, miliona njerëz kuptojnë se kanë kancerin e lëkurës. Kanceri i lëkurës është po thuajse 100 për qind i shërueshëm nëse dallohet herët dhe trajtohet menjëherë. Është e mundshme të parandalohen disa lloje të kancerit të lëkurës. Ky tekst do t’ju ndihmojë të kuptoni kancerin e lëkurës dhe si ai trajtohet. Ai po ashtu përfshin këshilla për parandalimin e kancerit të lëkurës.

Dy llojet më të shpeshta të kancerit të lëkurës janë karcinoma e qelizave bazale dhe karcinoma e qelizave skuamoze. Karcinoma është kancer i cili fillon në qelizat të cilat mbështjellin një organ. Më shumë se 90 për qind të të gjitha kacereve të lëkurës janë karcinomë e qelizave bazale. Ky është një lloj kanceri që zhvillohet ngadalë dhe i cili rrallë shpërndahet në pjesë të tjera të organizmit.

Edhe karcinoma e qelizave skuamoze rrallë shpërndahet në pjesë të tjera, por më shpesh se sa karcinoma e qelizave bazale. Është shumë e rëndësishme që kanceri i lëkurës të detektohet dhe të trajtohet sa më herët, pasi është e mundshme që ai të pushtojë dhe të shkatërrojë indet në afërsi.

Karcinoma e qelizave bazale dhe atyre skuamoze ndonjëherë quhen me një emër si kanceri jo-melanomë i lëkurës. Një lloj tjetër i kancerit që prek lëkurën është edhe melanoma, e cila fillon në melanocitet. Më shumë informata për këtë lloj do të jeni te Sëmundjet AZ nën emrin Melanoma. Teksti në vazhdim kryesisht fokusohet te karcinoma e qelizave skuamoze dhe atyre bazale, dhe jo te melanoma.

Edhe kanceri i qelizave bazale edhe ai i qelizave skuamoze gjendjen më së shumti në zonat e lëkurës e cila është e ekspozuar ndaj diellit: koka, fytyra, qafa, duart dhe krahët. Megjithatë, kanceri i lëkurës mund të paraqitet kudo.

Kanceret e lëkurës rrallë shkaktojnë dhimbje. Shenjat më të shpeshta paralajmëruese të kancerit të lëkurës janë ndryshimet në lëkurë, veçanërisht ndonjë pezmatim ose plagë që nuk shërohet.

Kanceret e lëkurës nuk duken të gjitha njëjtë. Për shembull, kanceri mund të fillojë si një xhungë e vogël, e butë, e ndritshme, e zbetë ose e lëmuar. Ajo po ashtu mund të paraqitet edhe si një xhungë e kuqe e qëndrueshme. Ndonjëherë, xhunga gjakon ose zhvillohen dregëz. Kanceri i lëkurës po ashtu mund të fillojë si një zonë e rrafshët e skuqur, e thatë ose me luspa.

Një lloj problemi i lëkurës, i quajtur keratoza aktinike, paraqitet në formë të njollave me luspa të ashra, të kuqe ose kafe në lëkurë. Ajo quhet gjendje para-kanceroze pasi ndonjëherë zhvillohet në kancer të qelizave skuamoze.

Ndryshimet në lëkurë jo gjithmonë janë shenja të sigurta të kancerit; megjithatë, është e rëndësishme ta vizitoni mjekun secilën herë nëse keni ndonjë prej simptomave që zgjat më shumë se dy javë. Mos pritni derisa zona të fillojë të shkaktojë dhimbje, pas kanceri i lëkurës rrallë shkakton dhimbje.