Sëmundjet me shkronjën: I

Infarkti në zemër më së shpeshti lajmërohet si rezultat i sëmundjes koronare të zemrës, që ndryshe quhet edhe sëmundja e arteries koronare. Sëmundja koronare e zemrës është gjendja në të cilën formohet pllaka brenda arterieve koronare. Këto arterie e furnizojnë zemrën me gjak të pasur me oksigjen.

Formimi i pllakave në muret e brendshme të arterieve quhet aterosklerozë. Një pjesë e pllakës mund të ‘pëlcasë’ brenda arteries duke shkaktuar formimin e trombit në sipërfaqen e saj. Nëse trombi bëhet mjaft i madh, ai mund ta bllokojë në një masë të madhe ose tërësisht qarkullimin e gjakut nëpër arterien koronare. Nëse bllokimi nuk trajtohet shpejtë, pjesa e muskulit të zemrës që ushqehet nga arteria përkatëse fillon të vdesë.

Një formë më e rrallë e sulmit në zemër është spazma (ngushtimi) e fuqishme e arteries koronare, e cila ndërpret qarkullimin e gjakut nëpër të. Spazma mund të paraqitet në arteriet që nuk janë të prekura nga ateroskleroza.

Duhet përmendur që infarkti i zemrës mund të shoqërohet ose mund të shkaktojë probleme tjera shëndetësore, si pamjaftueshmëria e zemrës dhe aritmitë kërcënuese për jetën.

Veprimi i shpejtë menjëherë pas kuptimit të simptomave të para të një sulmi në zemër mund t’ua shpëtojë jetën dhe të kufizojë dëmtimin e zemrës. Trajtimet kanë efekt më të mirë kur jepen menjëherë pasi shfaqen simptomat.

Nëse mendoni se ju ose dikush mund të pësojë sulm në zemër, reagoni duke thirrur ndihmën e shpejtë. Trajtimi i shpejtë, shpëton jetën.

Shkaktarët e infarktit të miokardit

  • Sëmundja koronare e zemrës.
  • Spazma e arteries koronare (marrja e kokainës, stresi emocional ose dhimbja, ekspozimi ndaj të ftohti ekstrem, duhanpirja).Shenjat dhe simptomat e sulmit në zemër
    Jo të gjithë infarktet fillojnë papritur me dhimbje gjoksi, ashtu si tregohen nëpër filma. Studimet kanë treguar se 1/3 e pacientëve që kanë përjetuar infarkt nuk kanë pasur dhimbje në gjoks. Shenjat dhe simptomat e sulmit në zemër dallojnë nga personat e ndryshëm, diku janë më të lehtë, diku më të rëndë. Ka njerëz që nuk kanë aspak simptoma – ky quhet infarkti i heshtur.
    Dhimbja në gjoks ose sikleti – është simptoma më e shpeshtë. Në shumicën e rasteve lajmërohet në qendër ose në anën e majtë të gjoksit, zgjat pak minuta ose largohet dhe lajmërohet përsëri. Sikleti mund të jetë si presion, ngushtim, plotësi ose dhimbje. Ndërsa ndjeshmëria mund të jetë e lehtë dhe e rëndë. Nganjëherë mund të jetë si dispepsi ose djegie stomaku. (Simptomat e anginës mund të jenë të ngjashme me ato të një sulmi në zemër).Shenjat dhe simptomat tjera të shpeshta

    • Siklet në pjesën e sipërme të trupit, në njërën ose të dy duart, shpinë, qafë, nofull ose në pjesën e sipërme të stomakut.
    • Frymëmarrje e shkurtër
    • Nauze (mundim në lukth), vjellje, marramendje, djersitje

    Problemet me gjumë, lodhja dhe mungesa e energjisë, janë simptoma të tjera që mund të shfaqen.