Sëmundjet me shkronjën: I

Çfarë është sinusiti?

Sinusit do të thotë se sinuset tuaja janë të inflamuara (të ndezura) – të skuqura dhe të ënjtura – për shkak të një infeksioni apo ndonjë problemi tjetër.

Ekzistojnë disa forma të sinusiteve, ndërsa ekspertët shëndetësorë përmendin këto:

  • Akut (zgjat deri në katër javë)
  • Subakut (zgjat nga katër deri në 12 javë)
  • Kronik (zgjat më shumë se 12 javë dhe mund të vazhdojë me muaj ose vite)
  • Rekurrent (me disa paraqitje brenda vitit)

Ku gjenden sinuset?

Sinuset janë hapësira të vogla që janë të vendosura në kafkë ose në eshtrat e kokës që e rrethojnë hundën, ndërsa emërohen sipas eshtrave që i formojnë:

  • Frontalë (mbi sy në zonën e vetullave)
  • Maksillarë (brenda eshtrave mollëzorë)
  • Etmoidalë (menjëherë pas urës së hundës, mes syve)
  • Sfenoidalë (prapa ashtit etmodal, në pjesën e sipërme të hundës dhe prapa syve)

Sinuset paranazale hapen në hapësirën e hundës dhe janë të përshkuar me qeliza të cilat prodhojnë mukus për ta penguar tharjen e hundës gjatë frymëmarrjes dhe të ndalojnë substancat e padëshirueshme duke i penguar që të arrijnë në mushkëri.

Një nga simptomat më të shpeshta të cilësdo formë të sinusitit është dhimbja, ndërsa lokalizimi varet nga sinusi i prekur.

  • Nëse keni dhimbje në ballë – problemi qëndron në sinuset frontale.
  • Dhimbje në nofullën e sipërme dhe dhëmbë, me ndjeshmëri në fytyrë – do të thotë se janë të përfshirë sinuset maksillare.
  • Ndjeni dhimbje prapa syve, nganjëherë me ënjtje të kapakëve të syrit dhe indeve rreth syve dhe ndjeshmëri kur prekni anët e hundës – do të thotë se sinusiti është zhvilluar në sinuset etmoidale.
  • Dhimbje në qafë, dhimbje veshi dhe dhimbje e thellë në maje të kokës – mund të jetë shenjë se janë inflamuar sinuset sfenoidale.

Dhimbja nuk është aq e shpeshtë te sinusitet kronike në raport me ato akute. Krahas dhimbjes, njerëzit me sinusit (qoftë akut ose kronik) zakonisht kanë sekrecione të trasha nga hunda që mund të jenë të bardha, të verdha, të gjelbra ose me ngjyrim gjaku. Nganjëherë këto sekrecione thahen në pjesën e pasme të fytit dhe vështirë pastrohen. Po ashtu, rastet me sinusit zakonisht shoqërohen me hundë të zëna, si edhe me ndjenjë të përgjithshme të plotësisë së fytyrës.

Simptomat tjera më të rralla të sinusitit janë:

  • Lodhja
  • Zvogëlimi i ndjenjës së të nuhaturit
  • Kollitja që mund të përkeqësohet natën
  • Dhimbje fyti
  • Frymëmarrje e vështirësuar
  • Temperaturë/ethe.

Në raste shumë të rralla, sinusiti akut mund të pasojë me infeksion të trurit dhe komplikime tjera serioze.