Sëmundjet me shkronjën: H

Hemorroidet janë enë të gjakut të ënjtura dhe të inflamuara (pezmatuara) rreth anusit ose në pjesën e poshtme të rektumit.

Çfarë janë hemorroidet?

Hemorroidet janë enë të gjakut të ënjtura dhe të inflamuara (pezmatuara) rreth anusit ose në pjesën e poshtme të rektumit. Rektumi është pjesa e fundit e zorrës së madhe e cila përfundon me anusin. Anusi është hapja (vrima) në fund të traktit digjestiv ku përmbajtja e zorrëve (jashtëqitja, fecesi) del nga trupi.

Hemorroidet mund të jenë të jashtme, kur ato janë të vendosura nën lëkurë rreth anusit, ose të brendshme, kur paraqiten në pjesën e poshtme të rektumit. Hemorroidet e brendshme mund të bien, ose të dalin jashtë, përmes anusit. Hemorroidet që dalin jashtë mund të tërhiqen sërish brenda rektumit vetvetiu. Hemorroidet më të rënda mund të mbeten jashtë gjithë kohës dhe kanë nevojë për trajtim.

Sa të shpeshta janë hemorroidet?

Rreth 75 për qind të njerëzit kanë hemorroide në një aspekt gjatë jetës së tyre. Hemorroidet janë më të zakonshme te të rriturit e moshës 45 deri në 65 vjeçare. Hemorroidet po ashtu janë shumë të shpeshta te gratë shtatzëna.

Simptoma më e shpeshtë e hemorroideve të brendshme është fecesi (jashtëqitja) me gjak të kuq, ose gjaku mund të mbetet në letër tualeti kur fshiheni, ose në vazon e tualetit pas zbrazjes së zorrëve. Hemorroidet e brendshme të cilat nuk dalin jashtë zakonisht nuk janë të dhimbshme. Hemorroidet e dala jashtë shpesh shkaktojnë dhimbje, mundim dhe të kruara në anus.

Brenda hemorroideve të jashtme (brenda venave të pezmatuara) mund të krijohen mpiksje të gjakut. Mpiksja në venë quhet trombozë. Hemorroidet e jashtme të trombozuara shkaktojnë dhimbje, ënjtjeje të dhimbshme ose ndonjë xhungë të fortë rreth anusit. Kur mpiksjet e gjakut treten, lëkura në ato vende mund të bëhet e irrituar ose të kruhet.

Tendosja (shtrëngimi), fërkimi ose pastrimi rreth anusit mund t’i përkeqësojnë simptomat, si të kruarat dhe irritimin. Hemorroidet nuk janë të rrezikshme ose kërcënuese për jetën. Simptomat zakonisht largohen brenda disa ditësh, ndërsa te disa njerëz me hemorroide simptomat kurrë nuk shfaqen.