Sëmundjet me shkronjën: H

Hemofilia zakonisht trashëgohet (që do të thotë se çrregullimi kalon nga prindërit te fëmijët përmes gjeneve). Njerëzit e lindur me hemofili kanë pak ose aspak njërin nga faktorët e koagulimit. Ky faktor është një proteinë e nevojshëm për mpiksjen e gjakut, e cila bashkëpunon me pllakëzat e gjakut (trombocitet) në procesin e koagulimit të gjakut.

Dy tipat kryesore të hemofilisë janë Hemofilia A dhe Hemofilia B. Nëse e keni të parën, atëherë ju mungon faktori VIII i koagulimit, ndërsa nëse e keni të dytën, atëherë ju mungon ose keni shumë pak faktorin e IX koagulues.

Rrallëherë hemofilia mund të fitohet gjatë jetës. Kjo ndodh kur organizmi krijon antitrupa, të cilët i sulmojnë faktorët e koagulimit në qarkullimin e gjakut.

Hemofilia zakonisht shfaqet te meshkujt (me përjashtime të rralla). Rreth 1 në 5.000 meshkuj lindin me hemofili çdo vit.

Shenjat kryesore të hemofilisë janë gjakderdhja masive dhe mavijosja e lehtë. Gjakderdhja mund të jetë e jashtme dhe e brendshme.

Shenjat e gjakderdhjes së jashtme:

  • Gjakderdhje në gojë nga një kafshim ose rënie dhëmbi
  • Gjakderdhje nga hunda pa ndonjë arsye
  • Gjakderdhje e madhe nga një prerje e vogël
  • Rishfaqje e gjakderdhjes pasi të jetë ndalur për një kohë të shkurtë

Shenja të gjakderdhjes së brendshme:

  • Gjak në urinë (për shkak të gjakderdhjes në veshka dhe në fshikëzën urinare)
  • Gjak në jashtëqitje (për shkak të gjakderdhjes në lukth ose zorrë)
  • Mavijosje të mëdha (për shkak të gjakderdhjes në muskujt e mëdhenj të trupit)

Gjakderdhja në gjunjë, bërryla ose nyjat tjera është një tjetër formë e shpeshtë e gjakderdhjes së brendshme te njerëzit që vuajnë nga hemofilia. Fillimisht gjakderdhja në nyje nuk shkakton dhimbje apo shenja të dukshme, por më pas nyja ënjtet, është e nxehtë në prekje dhe dhemb gjatë lëvizjes. Me vazhdimin e gjakderdhjes, vazhdon edhe ënjtja, ndërsa lëvizja është e pamundur dhe dhimbja mund të jetë e madhe. Në rast të mosintervenimit të shpejtë, mund të dëmtohet seriozisht nyja.

Gjakderdhja e brendshme në tru është një komplikim serioz i hemofilisë që mund të ndodhë edhe nga një përplasje e lehtë e kokës. Shenjat dhe simptomat e gjakderdhjes në tru janë:

  • Kokëdhimbje të gjata dhe të rënda, dhimbje qafe dhe shtangim
  • Vjellje e përsëritur
  • Përgjumje ose ndryshime në sjellje
  • Dobësi e papritur ose plogështi në duar dhe këmbë apo problem në ecje
  • Shikim i dyfishtë
  • Konvulsione ose marrje.