Sëmundjet me shkronjën: H

Hipotiroidizmi nënkupton se gjëndra juaj tiroide nuk prodhon sasi të mjaftueshme të hormonit tiroid. Tiroidea është gjëndër në formë të fluturës e vendosur në pjesën e përparme të qafës. Ajo prodhon hormonet që kontrollojnë mënyrën se si organizmi e shfrytëzon energjinë.

Shkaktarët

Mungesa e jodit është njëri nga shkaktarët më të shpeshtë të hipotiroidizmit anembanë botës. Në SHBA, shkaktari më i shpeshtë është tiroiditi i Hashimotos, i cili bën që sistemi imun të sulmojë indin tiroid. Si rezultat, gjëndra nuk mund të prodhojë sasi të mjaftueshme të hormonit tiroid.

Shkaktarët tjerë që mund të çojnë deri te niveli i ulët i hormonit tiroid janë edhe ndërhyrja kirurgjike për largimin e gjëndrës tiroide dhe terapia me rrezatim kundër kancerit. Nga shkaktarët më të rrallë janë infeksionet virusale dhe disa droga, si litiumi.

Simptomat

Hipotiroidizmi mund të japë simptoma të ndryshme, si:

  • Ndjenjë e lodhjes, plogështisë ose depresionit.
  • Lëkurë e thatë dhe thonj të brishtë.
  • Paaftësi për të duruar të ftohtit.
  • Konstipacion (kapsllëk).
  • Probleme me kujtesë dhe vështirësi në të menduarit e qartë.
  • Menstruacione të forta ose të çrregullta.

Simptomat shfaqen ngadalë me kalimin e kohës. Fillimisht, nuk i vëreni ose i keqkuptoni si procese normale të plakjes. Prandaj, nëse i keni simptomat e lartpërmendura, vizitojeni mjekun.