Sëmundjet me shkronjën: G, Gj

Presioni optimal i gjakut është 120/80. Te njerëzit e shëndoshë, shtypja e ulët e gjakut pa ndonjë simptomë nuk paraqet shqetësim dhe nuk ka nevojë për trajtim. Mirëpo, shtypja e ulët e gjakut mund të jetë shenjë e ndonjë problemi ekzistues, në veçanti te të moshuarit, ku mund të shkaktojë rrjedhje joadekuate të gjakut në zemër, tru dhe në organet tjera vitale

Shtypja e ulët kronike pa simptoma thuajse asnjëherë nuk është serioze. Por, problemet e zemrës mund të shfaqen kur shtypja bie përnjëherë dhe truri nuk furnizohet me gjak të mjaftueshëm. Kjo mund të shkaktojë marramendje dhe kokëdhimbje të lehtë.

Rënia e befasishme e shtypjes së gjakut mund t’i ndodhë dikujt që çohet nga pozita e ulur në këmbë. Ky lloj hipotensioni njihet si hipotension postural ose hipotension ortostatik. Një lloj tjetër hipotensioni mund të shfaqet te njerëzit që rrinë në këmbë për një kohë të gjatë, ky quhet hipotension i ndërmjetësuar nga sistemi nervor.

Shkaktari i shtypjes së ulët të gjakut nuk është gjithmonë i qartë. Mund të jetë i pranishëm gjatë:

  • Shtatzënisë
  • Problemeve hormonale (si hipotiroidizmi, diabeti apo hipoglikemia)
  • Përdorimit të disa barnave kundër dhimbjes
  • Përdorimit të barnave kundër hipertensionit, depresionit apo sëmundjes Parkinson
  • Pamjaftueshmërisë së zemrës
  • Aritmive
  • Zgjerimit të enëve të gjakut
  • Goditjes nga të nxehtit
  • Sëmundjes së mëlçisë.