Allgemein

Kanceri i hershëm i gjirit zakonisht nuk shkakton simptoma. Por derisa tumori rritet, ai mund të ndryshojë formën se si duket ose ndjehet gjiri. Ndryshimet më të shpeshta janë:

  • Ndonjë xhungë ose trashje brenda ose në afërsi të gjirit ose në zonën nën sqetull;
  • Ndryshim në madhësinë ose formën e gjirit;
  • Vrimëzim ose rrudhosje në lëkurën e gjirit;
  • Thimtha e kthyer përbrenda në gji;
  • Rrjedhje (lëngjesh) nga thimtha, në veçanti nëse është me gjak;
  • Lëkurë, thimtha ose areola (zonat rrethore të errët rreth thimthave në majë të gjirit) në formë luspash (e ashpër), e skuqur ose e ënjtur. Lëkura mund të ketë hulli ose çarje dhe të duket si lëkura e portokallit.

Dhimbja në gjoks është një simptomë shumë e rrallë (për të mos thënë nuk është aspak simptomë) e kancerit të gjirit.

Ju duhet ta vizitoni mjekun nëse keni cilëndo simptomë prej këtyre e cila nuk largohet me kalimin e kohës. Në të shumtën e rasteve këto simptoma nuk janë si pasojë e kancerit. Mund të jetë ndonjë problem tjetër shëndetësor i shkakton ato.

Shumica e kacereve të gjirit zbulohen ose me anë të mamogramit ose me anë të testeve tjera klinike të gjirit (kur mjeku juaj e kontrollon gjirin).
/Mjeku.Net/

Diagnostikimi

Mjeku mund t’ju kontrollojë për kancer të gjirit edhe para se të keni ndonjë simptomë. Gjatë një vizite në zyrë, mjeku do t’ju pyesë për historinë tuaj personale dhe familjare. Ju mund të bëni edhe një kontroll. Mjeku juaj mund t’ju kërkojë juve të bëni edhe një ose më shumë teste skanimi, si për shembull mamogram.

Mjekët rekomandojnë që femrat të bëjnë ekzaminime klinike të gjirit dhe mamograme rregullisht për ta zbuluar kancerin e gjirit sa më herët, nëse ai shfaqet. Trajtimi zakonisht funksionon mirë kur kanceri i gjirit zbulohet herët.

Ekzaminimi klinik i gjirit

Gjatë ekzaminimit klinik të gjirit, mjeku juaj do t’i kontrollojë gjinjtë. Mjeku mund të kërkojë t’i ngrini krahët mbi kokë, t’i mbani anash, ose t’i tërhiqni krahët prapa.

Punëtori shëndetësor do të kërkojë diferencat në madhësi ose formë në mes të dy gjinjve. Lëkura e gjinjve tuaj kontrollohet për ndonjë puçërr, çarje ose shenjë tjetër jonormale. Thimthat tuaja mund të shtrydhen për të kontrolluar lëngjet brenda saj.

Duke shfrytëzuar majat e gishtave për të ndjerë xhungat, mjeku ose punëtori shëndetësor do ta kontrollojë të gjithë gjirin tuaj, sqetullën dhe zonën rreth klavikulës. Xhunga përgjithësisht duhet të ketë madhësinë e fasules, para se dikush të mund ta ndjejë atë. Kontrolli bëhet në njërën anë dhe pastaj në tjetrën. Mjeku po ashtu mund të kontrollojë nyjat limfatike në afërsi të gjirit për të parë nëse ato janë të zmadhuara.

Nëse ju keni ndonjë xhungë, mjeku do ta ndjejë madhësinë e saj, formën dhe teksturën. Po ashtu do të kontrollojë për të parë nëse kjo xhungë lëviz me lehtësi. Xhungat beninje shpesh japin ndjenjë tjetër nga ato kanceroze. Xhungat të cilat janë të buta, të lëmuara, rrumbullake dhe lëvizin, kanë më shumë gjasa të jenë beninje. Xhungat e forta, me forma të rastit të cilat ndjehen se janë të lidhura me gjirin kanë gjasa më të mëdha të jenë kancer, por gjithmonë ka nevojë për teste të mëtejme për ta diagnostikuar problemin.

Mamogrami

Mamogrami është një fotografim me rreze-X i indit brenda gjirit. Mamogramet shpesh mund të tregojnë një xhungë gjiri para se ajo të mund të ndjehet. Ato po ashtu tregojnë grumbuj të pikëzave të vogla të kalciumit. Këto pikëza quhen mikrokalcifikim. Xhungat ose pikëzat mund të krijohen nga kanceri, qelizat parakanceroze, ose sëmundje të tjera. Është e nevojshme të bëhen teste shtesë për të kuptuar nëse ka të pranishme qeliza anormale.

Para se të shfaqen simptomat, femrat duhet të bëjnë skanime të rregullta me mamogram për të përcaktuar sa më herët kancerin e gjirit:

  • Femrat në të 40-tat duhet të kenë mamogramë çdo një deri dy vite
  • Femrat të cilat janë më të reja se 40 vjet dhe kanë faktorë rreziku për kancerin e gjirit duhet ta pyesin mjekun nëse duhet të kenë mamograme dhe sa shpesh

Nëse mamogrami tregon zonë jonormale në gji, mjeku mund t’ju kërkojë të bëni një fotografim më të pastër dhe më të detajizuar të asaj zone. Mjekët përdorin mamogramët diagnostikues për të mësuar më shumë për ndryshime të pazakonshme brenda gjirit si xhunga, dhimbje, fryrje, rrjedhje e thimthave, ose ndryshimi i madhësisë ose formës së gjinjve. Mamogramët diagnostikues mund të fokusohen në zona specifike të gjirit. Ato mund të përfshijnë teknika të veçanta dhe më shumë pamje se sa skanimet e thjeshta me mamograme.

Testet tjera të skanimit

Nëse gjendet ndonjë zonë jonormale gjatë kontrollimit klinik të gjirit ose me anë të mamogramit, mjeku mund t’ju kërkojë të bëni teste të tjera fotografimi:

  • Ultrazë: Femrat me xhunga ose ndryshime tjera të gjirit mund të bëjnë test me anë të ultrazërit. Gjatë kësaj metode përdoren valë zëri të cilat njerëzit nuk mund t’i dëgjojnë. Ato valë reflektohen nga indet e gjirit dhe lexohen nga kompjuteri i cili i shndërron ato në fotografi. Këto pamje mund të tregojnë nëse xhunga është e ngurtë, është mbushur me lëng (cistë), ose është kombinim i të dyjave. Cistat zakonisht nuk janë kancer. Por një xhungë e ngurtë mund të jetë kancer.
  • Rezonanca magnetike: Pasqyrimi (fotografimi) me anë të rezonancës magnetike jep një pamje edhe më të detajizuar të indit të gjirit. Këto pamje mund të tregojnë dallimet në mes të indit normal dhe atij të sëmurë.

Biopsia

Biopsia nënkupton marrjen e një pjese të indit për ta kontrolluar atë nën mikroskop për parë praninë ose jo të qelizave kanceroze. Biopsia është e vetmja mënyrë për të treguar me siguri nëse kanceri është i pranishëm ose jo.

Ju mund të keni nevojë të bëni biopsi nëse gjendet një zonë jonormale. Zona jonormale mund të ndjehet gjatë ekzaminimit klinik të gjirit, por mund të mos shihet në mamogram. Ose ndonjë zonë jonormale mund të shihet në mamogram por mund të mos ndjehet gjatë ekzaminimit klinik. Në këto raste, mjekët mund t’i përdorin procedurat e fotografimit (si mamogram diagnostikues, ultrazë ose RM) për të parë zonën dhe për të larguar indin.

Mjeku mund t’ju udhëzojë të shkoni te kirurgu ose specialisti i sëmundjeve të gjirit për biopsi. Kirurgu ose mjeku do të largojë lëngjet ose indin nga gjiri juaj në disa mënyra:

– Biopsi thithëse me anë të gjilpëre të hollë: Mjeku përdor një gjilpërë të hollë për të larguar qelizat ose lëngjet nga xhunga e gjirit.
– Biopsi e bërthamës: Mjeku përdor një gjilpërë të gjerë për të larguar një mostër nga indi i gjirit.
– Biopsia e lëkurës: Nëse ka ndryshime në lëkurën e gjirit, mjeku mund të marrë një copë të vogël të lëkurës.
– Biopsi kirurgjikale: Kirurgu juaj mund të marrë një mostër më të madhe të indit të brendshëm:

  • Biopsia incisionale merr një pjesë të xhungës ose zonës anormale.
  • Biopsia ekcizionale merr të gjithë xhungën ose zonën anormale.

Patologu do të kontrollojë indin ose lëngun e larguar nga gjiri për të kërkuar qeliza kanceroze. Nëse gjen qeliza kanceroze, patologu mund t’ju tregojë se çfarë lloj kanceri është ai. Lloji më i shpeshtë i kancerit është karcinoma dukale. Ajo fillon me qeliza të cilat rreshtohen në kanalet e gjirit. Karcinoma lobulare është një lloj tjetër. Ajo fillon në lobulat e gjirit.

Testet laboratorike

Nëse diagnostikoheni me kancer të gjirit, mjeku mund t’ju udhëzojë të bëni teste të veçanta laboratorike rreth indit të gjirit që është larguar, si testet e receptorëve hormonal, ose testin HER2/neu.

Pyetjet para terapisë anti-kanceroze

Para se t’i nënshtroheni trajtimit të kancerit të gjirit, ju duhet të bëni një listë pyetjet të cilat do t’ia parashtroni mjekut.

Ja se çfarë duhet të përmbajë lista juaj:

  • Çfarë tregon testi i receptorit hormonal? Çfarë tregojnë testet tjera laboratorike? A do të jenë frytdhënëse testet gjenetike për mua dhe familjen time?
  • A tregojnë shenja të kancerit nyjat limfatike?
  • Cila është shkalla e sëmundjes? A është shpërndarë kanceri?
  • Cilat janë opsionet e trajtimit? Cilën e rekomandoni për mua? Pse?
  • Cilat janë dobitë e secilit lloj trajtimi?
  • Çfarë duhet të bëj të përgatitem për trajtim?
  • A do të kem nevojë të qëndroj në spital? Nëse po, sa kohë?
  • Cilat janë rreziqet dhe mundësitë e efekteve anësore të secilit trajtim? Si mund të menaxhohen efektet anësore?
  • Sa do të mund të kushtojë trajtimi? A mund ta mbulojë sigurimi juaj (nëse jeni të siguruar)?
  • Sa do t’i prekë aktivitetet normale trajtimi?
  • Nëse jam pjesë e kërkimeve studimore (studimeve klinike), sa mund të kontribuoj për të mirën e pacientëve të ardhshëm?
  • A mund të më rekomandoni mjekë të tjerë të cilët mund të më japin mendimin e tyre për opsionet e trajtimit?
  • Sa shpesh duhet të bëj kontrolle?