Sëmundjet me shkronjën: G, Gj

Shtypja e lartë e gjakut, e njohur si hipertension, është sëmundja më e shpeshtë kardiovaskulare. Presioni i gjakut i referohet forcës së gjakut që shtyn muret e arterieve gjatë rrjedhës nëpër organizëm.

Hipertensioni esencial (primar)

Te rreth 95 për qind e rasteve me shtypje të lartë të gjakut, nuk mund të përcaktohet shkaktari. Ky lloj presioni quhet hipertensioni esencial. Edhe pse mbetet misterioz, hipertensioni esencial lidhet me disa faktorë rreziku. Shtypja e lartë e gjakut ka tendencë për t’u trashëguar në familje dhe është më e shpeshtë te meshkujt sesa te femrat. Mosha dhe raca, po ashtu luajnë rol. Njerëzit mbi 55 vjeç janë më të rrezikuar, ndërsa pjesëtarët e racës së zezë sëmuren dy herë më shumë se ata të racës së bardhë.

Hipertensioni esencial ndikohet edhe nga dieta dhe stili jetësor. Njerëzit që konsumojnë ushqim të pasur me kripë janë më të rrezikuar nga shtypja e lartë e gjakut. Nga faktorët tjerë që lidhen me hipertensionin janë edhe obeziteti, diabeti, stresi, marrja e vogël e kaliumit, kalciumit dhe magnezit, mungesa e aktivitetit fizik dhe alkoolizmi kronik.

Hipertensioni sekondar

Në rast se zbulohet shkaktari i drejtpërdrejtë i shtypjes së lartë të gjakut, flasim për hipertensionin sekondar. Nga shkaktarët e njohur të hipertensionit sekondar, sëmundja e veshkave renditet e para. Tensioni i lartë i gjakut mund të nxitet edhe nga tumoret ose anomalitë tjera që nxisin gjëndrat mbiveshkore të prodhojnë sasi të tepruara të hormoneve që rritin shtypjen e gjakut. Barnat kontraceptive, sidomos ato që përmbajnë estrogjen dhe shtatzënia mund ta ngrenë shtypjen e gjakut. Këtë e bëjnë edhe medikamentet që ngushtojnë enët e gjakut..

Shtypja e gjakut prezantohet me dy numra: i pari dhe më i larti është shtypja sistolike (ose presioni në arterie kur zemra rrah dhe i mbush ato me gjak), ndërsa numri i dytë, paraqet shtypjen diastolike (ose shtypjen në arterie kur zemra pushon në mes të rrahjeve).

Presioni normal i gjakut rritet në mënyrë të vazhdueshme nga 90/60 në lindje e deri në 120/80 te një i rritur i shëndoshë. Nëse dikush ua mat gjakun menjëherë pasi keni mbajtur një fjalim ose pasi keni ecur gjashtë kilometra, shtypja do të jetë më e lartë se normalja. Kjo nuk është shenjë për alarm: Është normale që shtypja e gjakut rritet me ndryshimet në aktivitet dhe gjendjen emocionale.

Po ashtu është normale që tensioni i gjakut të dallojë nga personi në person, madje edhe nga një pjesë e trupit te një tjetër. Mirëpo, nëse shtypja e gjakut është e lartë në mënyrë të vazhdueshme, atëherë bisedoni me mjekun tuaj për trajtim. Shtypja e lartë e vazhdueshme e detyron zemrën që të punojë mbi kapacitetin e saj. Krahas dëmtimit të enëve të gjakut, hipertensioni mund ta dëmtojë edhe trurin, sytë dhe veshkat.

Njerëzit me shtypje gjaku 140/90 ose më lartë të matur së paku dy herë, thuhet se kanë tension të lartë të gjakut. Nëse shtypja qëndron e lartë, mjeku juaj, sipas të gjitha gjasave, do të fillojë me trajtimin. Njerëzit me shtypje gjaku 200/130 ose më të lartë, kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm. Njerëzit me diabet i nënshtrohen trajtimit edhe nëse shtypja e tyre rritet më shumë se 130/80, sepse ata veçmë kanë rrezik për sëmundje kardiovaskulare.

Ekziston një grup njerëzish me tension pak më të lartë se 120/80, të cilët janë të rrezikuar që më vonë të zhvillojnë hipertension. Kjo gjendje quhet pre-hipertensiondhe rrit mundësinë e dëmtimit të arterieve, zemrës, trurit dhe veshkave, prandaj shumë mjekë rekomandojnë trajtim të hershëm, edhe pse nuk ka dëshmi se mjekimi i hershëm ndihmon në periudhe afatgjate.

Hipertensioni shpesh quhet edhe “vrasës i heshtur”, sepse rrallëherë jep simptoma, edhe pse shkakton dëmtime serioze në organizëm. Nëse nuk trajtohet, shtypja e lartë e gjakut mund të çojë deri te problemet në shikim, sulmi në zemër, goditja në tru dhe gjendje tjera fatale, duke përfshirë pamjaftueshmërinë e veshkës, si edhe pamjaftueshmërinë e zemrës.

Pacientët të cilët kanë shtypje shumë të lartë të gjakut thuhet se kanë hipertension malinj me shtypje diastolike që tejkalon 130 dhe shtypje sistolike mbi 200 (200/130). Hipertensioni malinj është gjendje e rrezikshme e cila mund të zhvillohet shpejtë dhe të shkaktojë dëmtimin e shpejtë të organeve, prandaj kërkon vëmendje të menjëhershme mjekësore.

Fatmirësisht, shtypja e lartë e gjakut mund të kontrollohet në mënyrë të efektshme. Hapi i parë është që ta kontrolloni rregullisht shtypjen tuaj.