Sëmundjet me shkronjën: G, Gj

Glaukoma është një grup i sëmundjeve të cilat dëmtojnë nervin optik të syrit dhe mund të çojnë në humbje të shikimit dhe verbëri.

Nervi optik

Nervi optik është një grumbull i më shumë se një milionë fijeve nervore. Ky nerv lidh retinën syrit me trurin (shihni foton më poshtë). Retina është një shtresë (ind) e ndjeshme ndaj dritës në pjesën e pasme të syrit. Nervi optik i shëndetshëm është i patjetërsueshëm për shikim të mirë.

Si dëmtohet nervi optik?

Disa studime kanë treguar se presioni në sy është një faktor i madh rreziku për dëmtimin e nervit optik. Në pjesën e përparme të syrit është një hapësirë e quajtur dhoma e përparme. Një lëng i pastër vazhdimisht qarkullon brenda dhe jashtë kësaj dhome dhe ushqen indet në afërsi. Lëngu largohet nga dhoma në këndin e hapur, ku takohen kornea dhe irisi (shihni foton 2). Kur lëngjet arrijnë te këndi, ato rrjedhin përmes një vrime sfungjerore dhe dalin nga syri.

Te glaukoma me kënd të hapur, edhe pse këndi kulluese është i hapur, lëngjet kalojnë shumë ngadalë përmes vrimës rrjedhëse. Meqë lënget mblidhen, presioni brenda syrit rritet deri në një nivel që mund ta dëmtojë nervin optik. Kur nervi optik është i dëmtuar nga rritja e presionit, mund të vijë deri te glaukoma me kënd të hapur dhe humbja e shikimit. Kjo është arsyeja se pse kontrollimi i presionit brenda syrit është i rëndësishëm.

Faktorët tjerë të rrezikut për dëmtimin e nervit lidhen me presionin e gjakut. Kështu, është e rëndësishme po ashtu të siguroheni që presioni i gjakut është në nivel të duhur për trupin tuaj duke u konsultuar vazhdimisht me mjekun tuaj.

A mund të paraqitet glaukoma nëse kam presion të rritur të syrit?

Jo patjetër. Jo çdo person që ka presion të rritur të syrit zhvillon glaukomë. Disa njerëz i tolerojnë nivelet e larta të presionit të syrit më mirë se të tjerët. Po ashtu, një nivel i caktuar i presionit të syrit mund të jetë i lartë për një person por normal për një tjerët.

Nëse glaukoma do të paraqitet te ju, kjo varet nga niveli i presionit që nervi juaj optik mund ta tolerojë pa qenë i dëmtuar. Ky nivel dallon nga një person te tjetri. Kjo është arsyeja se pse është shumë i rëndësishëm një kontroll i hollësishëm dhe i gjerë e syrit.

A mund të prekem nga glaukoma pa rritje të presionit në sy?

Po. Glaukoma mund të zhvillohet edhe pa presion të rritur të syrit. Kjo formë e glaukomës quhet glaukoma me tension të ulët ose me tension normal. Kjo është një glaukomë me kënd të hapur.

Kush është në rrezik për glaukomë me kënd të hapur?

Glaukoma mund të zhvillohet te çdokush. Disa grupe njerëzish, të cekur më poshtë, janë në rrezik më të lartë se të tjerët. Këto grupe janë:

  • Afro-amerikanët të cilët janë mbi moshën 40-vjeçare
  • Çdokush mbi moshën 60-vjeçare,
  • Njerëzit e histori familjare të glaukomës

Një ekzaminim i hollësishëm dhe i gjerë mund të zbulojë më shumë faktorë rreziku, si presioni i syrit, hollësia e kornesë, dhe anatomia anormale e nervit optik. Te disa njerëz me kombinime të caktuara të këtyre faktorëve të rrezikut, barnat në formë të pikave të syrit mund ta ulin rrezikun e paraqitjes së glaukomës deri në 50 për qind.