Sëmundjet me shkronjën: G, Gj

Gurët në veshka, një prej sëmundjeve më të dhimbshme urologjike, kanë shoqëruar njerëzimin për shekuj. Shkencëtarët kanë gjetur dëshmi të pranisë së gurëve të veshkave edhe në një mumje egjiptiane të vjetër 7 mijë vjet. Fatkeqësisht gurët në veshka janë një prej sëmundjeve të shpeshta të traktit urinar. Çdo vit rreth 1 për qind e njerëzve vizitojnë mjekun për këtë problem dhe çereku i tyre u nënshtrohen trajtimeve.

Shumica e gurëve në veshka largohen nga organizmi pa ndonjë intervenim të mjekut. Gurët të cilët shkaktojnë simptoma ose komplikime të tjera mund të mjekohen me teknika të ndryshme, shumica e të cilave nuk përfshijnë ndërhyrjen kirurgjike. Po ashtu, studimet e fundit kanë çuar në kuptim më të mirë të shumë faktorëve të cilët çojnë te formimi i gurëve dhe si pasojë edhe te mënyra më efektive të parandalimit ose trajtimit të gurëve.

Çfarë pune bëjnë veshkat?

Veshkat janë organe në formë të kokrrës së groshës, por shumë më të mëdha se ajo – afërsisht sa madhësia e grushtit tuaj. Ato janë të vendosura afër mesit të shpinës tuaj, menjëherë nën kafazin e brinjëve, nga një në secilën anë të shpinës. Veshkat janë mbledhës të sofistikuar të mbetjeve të panevojshme të organizmit. Çdo ditë veshkat tuaja procesojnë afro 200 litra gjak dhe largojnë nga organizmi deri në dy litra produkte të panevojshme dhe ujë të tepruar. Mbeturinat dhe uji i tepërt shndërrohen në urinë nga veshkat, që mblidhet në fshikëzën e urinës përmes gypave të quajtur ureterë. Fshikëza e urinës e grumbullon dhe e mban urinën derisa ju shkoni në tualet. Nga fshika e urinës urina kalon nëpër uretër deri te gjenitalet nga ku pastaj largohet në ambientin e jashtëm. Kujdes, ureterët dhe uretra janë dy pjesë të ndryshme. URETERËT janë dy dhe lidhin secilën veshkë me fshikën e urinës, ndërsa URETRA është një dhe lidh fshikën me daljen e jashtme në gjenitale.

Mbeturinat në gjakun tuaj zakonisht mblidhen nga zbërthimet e lëndëve dhe nga ushqimi që ju hani. Trupi juaj përdor ushqimin për energji dhe për vetë-rindërtim. Pasi trupi juaj merr atë që i nevojitet nga ushqimi, mbeturinat dërgohen në gjak. Nëse veshkat tuaja nuk i largojnë këto mbeturina, ato do të mblidheshin në gjak dhe do ta dëmtonin organizmin tuaj.

Përveç që eliminojnë mbeturinat, veshkat tuaja po ashtu ndihmojnë kontrollimin e tensionit të gjakut. Ato ndihmojnë edhe në krijimin e qelizave të kuqe të gjakut si dhe në forcimin e eshtrave tuaja.

Çfarë janë gurët në veshka?

Gurët në veshka paraqesin një copë të ngurtë e cila formohet në veshkë nga substancat të cilat ndodhen në urinë. Guri mund të qëndrojë në veshka ose të copëtohet dhe të dalë përmes traktit urinar. Një gur i vogël mund të kalojë gjithë rrugën për të dalë jashtë organizmit pa shkaktuar shumë dhimbje.

Por, ndonjë gur më i madh mund të bllokohet në ndonjërin prej ureterëve (që lidhin veshkat me fshikën), në fshikën e urinës ose në uretër (kanalin që lidh fshikën me organin e jashtëm eliminues të urinës). Një gur problematik mund ta bllokojë edhe qarkullimin e urinës dhe të shkaktojë dhimbje.

Si duken gurët e veshkave?

Gurët e veshkave mund të jenë të vegjël sa një gur i rërës së imët ose të mëdha sa një xhevahir. Disa gurrëz madje janë të mëdhenj sa një top ping-pongu. Ato zakonisht kanë ngjyrë të verdhë ose kafe.

A janë të gjithë gurët të njëjtë?

Jo. Mjekët kanë gjetur katër lloje kryesore të gurëve të veshkave:

  1. Lloji më i shpeshtë i gurëve të veshkave përmban kalcium. Kalciumi është pjesë normale e ushqimit të shëndetshëm. Kalciumi që nuk shfrytëzohet nga eshtrat dhe muskujt shkon në veshka. Te shumica e njerëzve, veshkat e largojnë kalciumin e tepërt me pjesën tjetër të urinës. Por te disa, kalciumi që ngelet në veshka bashkohet me produkte të tjera të mbetura për të krijuar gurët. Kombinimi më i shpeshtë quhet oksalat kalciumi.
  2. Gurët e struvitit mund të formohet pas ndonjë infeksioni të sistemit urinar. Këto gurë përmbajnë magnez dhe produktin tjetër të panevojshëm, amoniak.
  3. Gurët e acidit urik formohen kur urina bëhet shumë acidike. Nëse ju keni prirje për të krijuar gurë të acidit urik, ju ndoshta duhet të ulni sasinë e mishit që hani.
  4. Gurët e cistinës janë më të radha. Cistina është një prej substancave që shërben si tullë ndërtuese për të formuar muskujt, nervat dhe pjesët tjera të organizmit. Cistina mund të mblidhet në urinë dhe kështu të krijojë ndonjë gurë. Sëmundja e cila shkakton gurët e cistinës përcillet nëpër familje.