Sëmundjet me shkronjën: F

Cili është dallimi ndërmjet një ftohjeje dhe gripi?

Ftohja dhe gripi janë infeksione virusale të ngjitshme të traktit respirator. Edhe pse simptomat mund të jenë shumë të ngjashme, gripi është shumë më i rëndë. Ftohja mund t’ju lodhë pak, ndërsa gripi mund t’ju shtrijë në krevat. Zënia e hundëve, dhimbja e fytit dhe teshtitja janë të shpeshta te ftohja. Edhe te ftohja edhe te gripi mund të shfaqen kollitja, kokëdhimbja dhe sikleti në gjoks. Te gripi paraqitet temperatura e lartë për disa ditë e shoqëruar me kokëdhimbje, dhimbje muskujsh, lodhje dhe plogështi.

Zakonisht, komplikimet nga ftohja janë relativisht të vogla, ndërsa rastet e rënda të gripit mund të çojnë deri te komplikimet kërcënuese për jetën, siç është pneumonia.

Meqenëse të dyja sëmundjet janë virusale, antibiotikët nuk kanë sukses. (Mbani mend: Antibiotikët luftojnë vetëm bakteret). Eksitojnë një numër i vogël i barnave antivirale për trajtimin e gripit, ndërsa nuk ka kurrfarë barnash që luftojnë drejtpërdrejtë viruset e ftohjes. Antibiotikët mund të jenë të dobishëm në rast se ekziston infeksioni sekondar bakteror.

Cili është dallimi ndërmjet gripit të stomakut dhe influencës?

“Gripi i stomakut” është një term i popullarizuar, por jo edhe një diagnozë e vërtetë mjekësore. Në fakt, kjo gjendje është një gastroenterit i shkaktuar nga viruset (që në shumtën e rasteve në popullatë quhen grip), prandaj kjo gjendje i referohet gastroenteritit viral. Gastroenteriti është inflamacion i traktit gastrointestinal (lukthit dhe zorrëve). Te gastroenteriti mund të shfaqen simptomat të tilla, si dhimbje barku, nauze (mundim në lukth/nevojë për të vjellë), vjellje dhe diarre (barkqitje).

Shkaktarët, simptomat dhe komplikimet e gripit

Edhe gripi, ngjashëm me ftohjen e zakonshme, shkaktohet nga viruse të cilët ndryshojnë shumë shpejtë, mirëpo zakonisht, çdo vit ekziston një virus kryesor, i cili përhapet në gjithë botën. Transmetimi i sëmundjes bëhet me anë të spërklave të cilat mund të barten me ajër, ose mund ta kontaminojnë ushqimin. Simptomat fillojë nga një deri në katër ditë pasi virusi futet në organizëm.
Gripi zakonisht fillon si mungesë e përgjithshme e vullnetit që zgjat disa orë, nganjëherë edhe disa ditë. Pastaj simptomat fillojnë të përkeqësohen duke shkaktuar jokomoditet të përgjithshëm.

Sa i përket simptomave të fytit janë të ngjashme, ose më të lehta sesa te ftohja e zakonshme:

  • dhimbja në fyt është zakonisht simptoma e parë
  • pastaj fillon rrjedhja e sekretit nga hunda
  • edhe fyti prodhon sekret
  • paraqitet ënjtje e mukozës së hundës dhe fytit
  • teshtitja dhe kollitja janë simptoma të rëndësishme po ashtu

Te gripi janë shumë më të fuqishme simptomat e përgjithshme:

  • zakonisht ka temperaturë të lartë, e cila konsiderohet si simptoma kryesore, e cila e dallon gripin nga ftohja e zakonshme
  • pavarësisht temperaturës, disa pjesë të trupit janë të ftohta
  • paraqitet mundimi në stomak, zakonisht edhe vjellje, sidomos te fëmijët dhe të rinjtë
  • zakonisht ekziston ndjenja e lodhjes dhe dobësimit
  • kokëdhimbja është e pranishme
  • dhimbje në stomak dhe çrregullime të tretjes
  • dhimbje në të gjithë trupin, sidomos në muskuj dhe nyje
  • dhimbje dhe shtangim të lehtë në qafë
  • sytë mund të skuqen dhe irritohen
  • po ashtu edhe lëkura mund të skuqet.