Sëmundjet me shkronjën: F

Çfarë është fibromialgjia?

Fibromialgjia është një sëmundje e cila shkakton dhimbje dhe lodhje të muskujve. Njerëzit me fibromialgji kanë “pika të ndjeshme” në organizëm. Pikat e ndjeshme janë vende specifike në qafë, kraharor, shpinë, vithe, krahë ose këmbë. Këto pika shkaktojnë dhimbje kur në to bëhet presion.

Njerëzit me fibromialgji po ashtu mund të kenë simptoma të tjera, si:

Probleme gjatë fjetjes
Shtangësi të mëngjesit
Kokëdhimbje
Periudha të dhimbshme menstruale
Shpim ose mpirje në duar dhe shputa
Probleme me të menduarit ose memorien.
Personi mund të ketë edhe dy ose më shumë lloje të sëmundjeve me dhimbje kronike të cilat bashkekzistojnë. Sëmundje të tilla mund të jenë sindroma e lodhjes kronike, endometrioza, fibromialgjia, sëmundja inflamatore e zorrëve, cistiti intersticial, disfunksioni i nyjës temporomandiburare dhe vulvodynia. Nuk është e ditur nëse këto sëmundje kanë ndonjë shkaktarë të përbashkët.

Kush preket nga fibromialgjia?

Shkencëtarët vlerësojnë se fibromialgjia prek rreth një deri në dy për qind të popullatës mbi moshën 18-vjeçare. Mbi 80 për qind të njerëzve të diagnostikuar me fibromialgji janë femra. Megjithatë, meshkujt dhe fëmijët po ashtu mund ta kenë këtë sëmundje. Shumica e njerëzve diagnostikohet gjatë moshës së mesme.

Njerëzit me sëmundje të caktuara po ashtu mund të jenë më të prirë për të zhvilluar fibromialgjinë. Në këtë grup përfshihen:

Artriti reumatoid
Lupus eritrematosus
Spondiliti ankilotik (artriti i shpinës).
Femrat të cilat kanë anëtar familje me fibromialgji mund të jenë më të prira të preken nga kjo sëmundje.

Çfarë e shkakton fibromialgjinë?

Shkaktarët e fibromialgjisë nuk janë të njohur. Mund të ketë disa faktorët të cilët janë të përfshirë në shfaqjen e këtij problemi. Fibromialgjia ka lidhje me:

Ndodhitë stresuese ose traumatike, si aksidentet me veturë;
Lëndimet e përsëritura;
Gjendje e keqe shëndetësore;
Sëmundje të caktuara.
Fibromialgjia po ashtu mund të paraqitet edhe si e vetme, pa sëmundje tjera shoqëruese ose pa ndonjërin prej faktorëve që nxisin paraqitjen e saj.

Disa studiues mendojnë se një ose disa gjene mund të jenë të përfshira në shkaktimin e fibromialgjisë. Gjenet mund ta bëjnë një person të reagojë më shumë në gjëra të cilat për njerëzit tjerë nuk do të ishin të dhimbshme.