Sëmundjet me shkronjën: F

Të fikët është ajo gjendje e organizmit ku personi për arsye të ndryshme, në mënyrë të papritur, humbet përkohësisht vetëdijen dhe forcën muskulore duke u rrëzuar ku ndodhet. Kjo përbën një urgjencë të shpeshtë mjekësore, që kërkon ndërhyrje të shpejtë për të shmangur pasojat e mundshme.

Nëse të fikët ndodh duke drejtuar një mjet lëvizës, kur je në një vend (në lartësi, pranë zjarrit, lumit, rrugës) ose në procese pune me rrezikshmëri për jetën tënde dhe të të tjerëve, pasojat mund të jenë të tmerrshme. Të fikëtit ndodh si pasojë e mosushqyerjes së mjaftueshme të trurit me gjak ose përbërësit ushqimorë kryesorë për një çast. Zemra dhe sistemi nervor janë më të prekurat prej ndryshimit.

Dridhjet ose tkurrje-lëshimet si purtekë (konvulsionet) mund të shfaqen si pasojë e mosfunksionimit normal të zemrës dhe vuajtjes së trurit. Një moskoordinim i përkohshëm i sistemit nervor mund të bëhet shkak. Ngadalësimi i rrahjeve të zemrës dhe disa ndryshime të tjera shoqëruese në damarë (zgjerim i tyre), për momentin, e pasqyron këtë ç’rregullim. Në favor të këtij mekanizmi (të ngacmimit të mbaresave të fijeve nervore në gurmaz, në mushkëri, në fshikëz të urinës, në fundzorrën e trashë etj.) është rënia e të fikëtit gjatë gëlltitjes, gjatë jashtëqitjes së ujit të hollë apo të trashë, gjatë kollitjes etj.

Si zhvillohet procesi?

Pas një çrregullimi të vrullshëm në organizmin e personit, shfaqen papritur nje errësim para syve ose xixa ose marramendje ose të përziera dhe të vjella ose djersitje ose dhimbje në kraharor dhe mos mbajtje e ujit të hollë e të trashë.

Rënia në tokë si lëkurë e porsa rrjepur pason, pa mundësi shmangieje prej një kërcënimi të mundshëm (prej zjarrit, prej lartësisë, prej rrymës elektrike, prej lumit, prej automjeteve apo prej trenit). Edhe kur shenjat paralajmëruese zgjatin disa sekonda, forcat fizike janë të kufizuara për zhvendosje prej vendrrezikut. Personi në të fikët mund të dalë shpejt prej gjendjes ose të vdesë brenda disa minutave apo më vonë. Këtu luajnë rol gjendja e përgjithshme e organizmit, sidomos e zemrës dhe e damarëve të gjakut, vendi i rënies, cilësia e dhënies së ndihmës së parë etj.

Në një zemër të vuajtur dhe të zmadhuar dridhjet e saj ashtu si edhe ngadalësimi i rrahjeve nën 40/minutë, mund të bëhen shkak i të fikëtit dhe i vdekjes së papritur. Në moshat e mëdha, kërcënimi i jetës është shumë më i shprehur se në moshat e reja dhe të mesme. Kjo lidhet me aftësitë e kufizuara kompensuese të organizmit. Edhe më i lartë është rreziku i vdekjes në të vuajturit e zgjatur, për shkak të sëmundjeve, të shpërdorimeve në regjim, në dietë etj.

Si mund të dallojmë gjendjen e të fikët nga një krizë e sëmundjes së tokës?

Si te të fikëtit edhe tek sëmundja e tokës ose tkurrje-lëshimet (konvulsionet) rastësore (nga temperatura e lartë, ulja e nivelit të kalciumit në gjak, presioni i lartë i gjakut etj.) mund të errësohet apo humbasë përkohësisht vetëdija. Të fikëtit mund të shfaqet pas dhimbjes së fortë, gjatë ankthit dhe përjetimit të gjendjeve të tjera, sidomos gjatë kohës së kalimit nga pozicioni shtrirë në ndenjur ose në këmbë.

Zakonisht personi ndjen errësim të pamjes, xixa etj., disa sekonda para, ndërsa gjatë humbjes së ndjenjave shkrehet si lëkurë, zbehet dhe mbulohet me djersë. Sidoqoftë ai vetëm rrallëherë pëson dëmtime serioze pas rënies. E kundërta ndodh në konvulsione. Vuajtësi prej sëmundjes së tokës apo tkurrje- lëshimeve me natyrë tjetër mund të mos ketë shenja paralajmëruese ose përjeton të përziera, erë të rëndë, zëra mundues, figura, skena tmerri etj. Mavijosja, shkuma nga goja dhe tkurrje-lëshimet e gjymtyrëve, të trupit dhe të qafës janë shfaqje të mundshme.

Ndërsa personi me të fikët nis të kthjellohet pas disa sekondave edhe duke qëndruar shtrirë, ai me tkurrje-lëshime energjike ka nevojë për më shumë se 5 minuta. Kthimi në gjendjen normale arrihet pas minutave në të fikët, ndërsa në sëmundjen me tkurrje-lëshime nevojiten orë.