Ethet hemorragjike
Në mënyrë karakteristike, te kjo sëmundje është dëmtuar i gjithë sistemi vaskular, ndërsa aftësia e organizmit për ta rregulluar vetvetiu është keqësuar. Këto simptoma zakonisht shoqërohen me gjakderdhje, megjithëse gjakderdhja vetvetiu rrallëherë mund ta rrezikojë jetën.
Derisa disa viruse të etheve hemorragjike mund të shkaktojnë sëmundje të lehta, shumë prej atyre viruseve shkaktojnë sëmundje të rënda, kërcënuese për jetën.
Grupimi i viruseve të etheve hemorragjike
Ethet hemorragjike shkaktohen nga viruset e katër familjeve të ndryshme: arenaviruset, filoviruset, bunyaviruset dhe flaviviruset.
Secila nga këto familje virusesh ka disa karakteristika të përbashkëta:
- Të gjithë janë ARN-viruse dhe janë të mbështjellë me lipide.
- Mbijetesa e tyre është e varur nga nikoqiri shtazor ose insekti, që quhet rezervuari natyror.
- Viruset janë të kufizuar gjeografikisht në vendet ku jetojnë nikoqirët e tyre.
- Njerëzit nuk janë rezervuarët natyrorë të këtyre viruseve, njerëzit infektohet kur vijnë në kontakt me nikoqirët e tyre. Në disa raste, pasi të infektohet, njeriu mund t’ia transmetojë virusin një njeriu tjetër.
- Infeksionet e njerëzve ose epidemitë me këto viruse zhvillohen në mënyrë sporadike dhe të çrregullt. Epidemia nuk mund të parashikohet lehtë.
- Nuk ka mjekim kundër viruseve që shkaktojnë ethet hemorragjike.
Viruset që shkaktojnë ethet hemorragjike janë të shpërndarë thuajse në gjithë globin. Megjithatë, duke qenë se secili virus ka një nikoqir të caktuar – viruset dhe sëmundjet shfaqen në vendet ku nikoqirët e tyre jetojnë. Disa nga nikoqirët e këtyre viruseve jetojnë në vende përkatëse, prandaj edhe ekzistenca e viruseve është e kufizuar pikërisht në ato vende.
Shenjat dhe simptomat specifike varirojnë nga tipi i virusit që e shkakton sëmundjen, por shenjat dhe simptomat fillestare zakonisht përfshijnë: ethe, lodhje, marramendje, dhimbje muskujsh, plogështi dhe rraskapitje.
Pacientët me format më të rënda të sëmundjeve, zakonisht shfaqin shenja të gjakderdhjes nën lëkurë, në organet e brendshme ose nga zgavrat trupore – si goja, sytë ose veshët. Mirëpo, edhe pse gjaku mund të rrjedhë nga pjesë të ndryshme të trupit, pacientët rrallëherë vdesin nga humbja e gjakut.
Te pacientët me sëmundje të rëndë, mund të shfaqet shoku, çrregullim në funksionin e sistemit nervor, koma, delirium (kllapi) dhe paralizë. Disa forma të etheve hemorragjike shoqërohen me pamjaftueshmëri të veshkave.
Trajtimi
Pacientët marrin terapi mbështetëse (për lehtësimin e simptomave), por në përgjithësi, nuk ka trajtim adekuat për ethet hemorragjike.