Sëmundjet me shkronjën: E, Ë

Endometrioza jo gjithmonë shoqërohet me simptoma dhe zakonisht nuk është e rrezikshme. Mirëpo, mund të shkaktojë dhimbje dhe probleme të tjera.

Grumbujt e indit që rriten jashtë mitrës quhen implante. Ato zakonisht rriten në vezore, në tubat fallope, në murin e jashtëm të mitrës, në zorrë ose në organet tjera të barkut. Në raste të rralla indi shpërndahet në pjesë të tjera përtej barkut.

Si shkakton probleme endometrioza?

Mitra juaj është e veshur me një lloj indi që quhet endometrium. Secilin muaj, organizmi juaj liron hormone të cilat bëjnë që endometriumi të trashet dhe të përgatitet për një qelizë vezë. Nëse ngelni shtatzënë, qeliza vezë e fertilizuar ngjitet për endometriumi dhe fillon të rritet. Nëse nuk ngelni shtatzënë, endometriumi “plasaritet” dhe organizmi e hedh në formë gjaku. Kjo është perioda menstruale.

Kur keni endometriozë, implantet e indit jashtë mitrës suaj reagojnë njësoj sikur indi që vesh mitrën tuaj. Gjatë ciklit menstrual, trashet, pastaj “plasaritet” dhe rrjedh në formë gjaku. Mirëpo, duke qenë se implantet janë jashtë mitrës, gjaku nuk mund të dalë nga organizmi. Implantet mund të irritojnë dhe të dhembin. Nganjëherë, ato formojnë ind të thiktë ose qeska të mbushura me lëng (ciste). Indi i thiktë mund ta vështirësojë procesin e ngeljes shtatzënë.

SIMPTOMAT

  • Dhimbje. Se ku do të ndjehet dhimbja varet nga vendi ku rriten implantet. Mund të keni dhimbje në pjesën e poshtme të barkut, në rektum ose në vaginë, ose në pjesën e poshtme të shpinës. Mund të keni dhimbje vetëm para dhe gjatë menstruacioneve, ose gjatë gjithë kohës. Disa femra kanë më shumë dhimbje gjatë aktit seksual, kur kanë ndonjë lëvizje të zorrëve ose atëherë kur vezoret e lëshojnë qelizën vezë (ovulacioni).
  • Gjakderdhje anormale. Disa femra kanë menstruacione të forta, njollosje ose gjakderdhje në mes të periodave, gjakderdhje pas seksit ose gjak në urinë dhe në jashtëqitje.
  • Probleme për të mbetur shtatzënë (infertilitet). Disa femra mund ta kenë vetëm këtë simptomë.

Endometrioza dallon nga një femër te tjetra. Disa femra nuk e dinë se e kanë derisa e vizitojnë mjekun për shkak se nuk mund të mbeten shtatzënë ose kur kanë ndonjë procedurë për ndonjë problem tjetër. Disa kanë ngërçe të lehta për të cilat mendojnë se janë normale. Te femrat tjera dhimbja dhe gjakderdhja janë aq të rënda, saqë nuk janë në gjendje të punojnë ose të shkojnë në shkollë.