Sëmundjet me shkronjën: E, Ë

Dendësia minerale e eshtrave është një matje e nivelit të mineraleve në eshtra, që tregon se sa të dendura dhe të fuqishme ato janë. Nëse ju keni DME të ulët krahasuar me vlerat normale, ju keni osteopeni. Nëse keni osteopeni ju keni rrezik të shtuar që me kalimin e kohës dendësia minerale e eshtrave të dobësohet nën nivelet e lejuara dhe sëmundja të kalojë në një stad më serioz që quhet osteoporozë.

Çfarë e shkakton osteopeninë?

Dobësimi i eshtrave është një proces normal i plakjes pasi, duke filluar nga mosha e mesme, qelizat ekzistuese të eshtrave riabsorbohen nga organizmi më shpejt se sa krijohen të rejat. Kur kjo ndodh, eshtrat humbi mineralet, masën dhe strukturën duke u bërë më të dobëta dhe duke shtuar rrezikun për thyerje.

Të gjithë njerëzit fillojnë ta humbin masën e eshtrave pasi kjo arrin kulmin e dendësisë në moshën 30-vjeçare. Sa më të trashë janë eshtrat në moshën 30-vjeçare, aq më vështirë ju do të prekeni nga osteopenia ose osteoporoza.

Disa njerëz të cilët kanë osteopeni mund të mos e humbin masën e eshtrave. Ato mund në mënyrë natyrale të kenë një dendësi më të ulët të eshtrave. Osteopenia po ashtu mund të vijë nga një varg çrregullimesh të ndryshme, sëmundje, ose trajtime. Femrat janë më të prira të zhvillojnë osteopeni dhe osteoporozë se sa meshkujt. Arsyeja e kësaj është sepse femrat kanë vlera më të ulët të dendësisë minerale të eshtrave dhe sepse dobësimi i eshtrave shpejtohet nga ndryshimet hormonale të cilat ndodhin gjatë menopauzës.

Edhe te meshkujt edhe te femrat faktorët në vazhdim mund të ndihmojnë në paraqitjen e osteopenisë:

  • Çrregullimet e të ushqyerit ose problemet me metabolizmin të cilat nuk e lejojnë organizmin të sigurojë mjaft vitamina dhe minerale;
  • Kimioterapia ose medikamentet si steroidet të cilat përdoren për mjekimin e një varg sëmundjes, përfshirë astmën;
  • Ekspozimi ndaj rrezatimit.

Nëse keni histori familjare të osteoporozës, nëse jeni i dobët me trup, nuk bëni shumë aktivitet fizik, pini duhan, pini vazhdimisht pije me kola, dhe pini sasi të tepruara të alkoolit, jeni me rrezik të shtuar për t’u prekur nga osteopenia dhe osteoporoza.

Cilat janë simptomat?

Osteopenia nuk ka simptoma. Ju nuk ndjeni dhimbje ose ndryshime kur eshtrat tuaja bëhen më të dobët, edhe pse rreziku i thyerjes së tyre rritet pasi eshtrat bëhen më pak të dendur.

 

Si diagnostikohet osteopenia?

Osteopenia diagnostikohet duke bërë testin e densitetit mineral të eshtrave, që zakonisht bëhet për të parë nëse ju keni osteoporozë (një shkallë më e rëndë e dobësimit të eshtrave). Analiza më e saktë për të matur dendësinë minerale të starave është testi DEXA, edhe pse ka edhe metoda tjera.

Sa më herët ta dalloni osteopeninë mund t’ju ndihmojë ta trajtoni duke parandaluar kalimin e saj në osteoporozë dhe problemet me thyerje të eshtrave. Mjekët shpesh këshillojnë të bëhen analiza rutinë të dendësisë së eshtrave për femrat e moshës mbi 65 vjeçare. Nëse ju keni rrezik më të rritur për fraktura (si për shembull familjarë me këtë sëmundje), është më mirë t’i bëni këto teste më herët. Bisedomi me mjekut tuaj për faktorët e rrezikut dhe kur duhet të filloni të bëni analizat e dendësisë së eshtrave.

Ju mund të përdorni një lloj testi kalkulator të quajtur FRAX të zhvilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të ndihmuar të parashikoni rrezikun e prekjes nga osteoporoza në 10 vitet e ardhshme.

Gjërat të cilat shtojnë rrezikun për t’u prekur nga osteopenia janë:

  • Raca – e bardhë ose aziatike;
  • Familja – osteoporoza ka tendenca të përcillet nëpër familje;
  • Të qenit i dobët – osteoporoza paraqitet më shumë te personat me trup të vogël/të hollë);
  • Përdorimi i kortikosteoidëve – përdorimi afatgjatë i barnave kortikosteroide, si prednizoni ose hidrokortizoni që përdoren te sëmundjet inflamatore, ose i antikonvulzantëve, si karbamazepina, fenitoina ose gabapentina që përdoren te dhimbjet ose krizat;
  • Çrregullime të të ushqyerit ose sëmundje të cilat ndikojnë në absorbimin e lëndëve nutritive nga ushqimi;
  • Të qenit joaktiv ose të dergjur në shtrat për një periudhë të gjatë kohore;
  • Pirja e duhanit;
  • Pirja se sasive të mëdha të alkoolit;
  • Konsumimi i ushqimit të paktë me kalcium ose vitaminë D.

Ekspertët këshillojnë që edhe meshkujt e moshuar të kenë kujdes për të shmangur rreziqet që çojnë te osteoporoza. Shumë meshkuj nuk mendojnë se janë në rrezik nga osteopenia ose osteoporoza pasi kjo sëmundje shihet si një sëmundje që prek femrat e moshuara. Pasi meshkujt kanë nivele më të larta të dendësisë së eshtrave se sa femrat në moshë të mesme, këto problem ndodh të paraqiten në moshë më të vonshme te burrat. Por, përveç ndryshimeve hormonale të menopauzës të cilat i bëjnë gratë më të prira për t’u prekur nga ky dobësim i eshtrave, faktorët tjerë të gjithë janë të barabartë si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Meshkujt po ashtu mund të jenë në rrezik më të shtuar nëse kanë nivele më të ulëta të testosteronit.