Sëmundjet me shkronjën: E, Ë

Osteoporoza nënkupton “eshtra poroz”. Kockat tona mund të duket të forta, por indi i tyre (që është ind i gjallë) vazhdimisht krijohet dhe shkatërrohet. Derisa ne plakemi, procesi mund të shkojë drejt shkatërrimit të kockave, duke i bërë ato poroze, të dobëta dhe që thyhen lehtë – kjo sëmundje quhet osteoporozë. Lajmi i mirë është se ka shumë mënyra të cilat parandalojnë osteoporozën, përfshirë stërvitjet fizike, ushqimin e duhur dhe barnat.

Çfarë është osteoporoza?

Osteoporoza është një sëmundje e cila prek eshtrat (kockat) tuaja. Kjo do të thotë se ju keni eshtra të cilat janë të dobëta dhe të thyeshme, me shumë vrima brenda tyre, ngjashëm si sfungjeri. Kjo i bën ata të thyhen me lehtësi. Osteoporoza mund të çojë te thyerje (fraktura) të eshtrave në ijë (legen), shpinë dhe kyç të dorës. Këto fraktura mund t’ju paaftësojnë dhe ta bëjnë të vështirë të jetoni pa ndihmën e dikujt.

Osteoporoza prej miliona njerëz të moshuar. Kjo zakonisht paraqitet pas moshës 60 vjeçe. Është më e shpeshtë te femrat, por nga ajo mund të preken edhe meshkujt.

Çfarë e shkakton osteoporozën?

Osteoporoza mund të shkaktohet nga mungesa e fortësisë së shtresave ose dendësisë së tyre. Derisa ju plakeni, eshtrat tuaja bëhen më të dobëta, që është një proces natyral. Por disa gjëra mund t’ua shtojnë gjasat për të pasur eshtra më të prirë për osteoporozë. Këto quhen faktorë të rezikut. Disa prej faktorëve të rrezikut ju mund t’i ndryshoni. Të tjerat nuk mund t’i ndryshoni.

Faktorët e rrezikut të cilët nuk mund t’i ndryshoni janë:

  • Mosha juaj. Rreziku juaj për osteoporozë rritet me kalimin e moshës.
  • Të qenit femër e cila ka kaluar menopauzën. Pas menopauzës, trupi prodhon më pak estrogjen. Estrogjeni mbron organizmin nga dobësimi i kockave.
  • Trashëgimia familjare. Osteoporoza ka prirje për t’u përcjellë nëpër familje
  • Të pasurit strukturë të hollë të trupit.
  • Raca. Njerëzit me prejardhje evropiane dhe aziatike janë më të prirë të preken nga osteoporoza.

Në mesin e faktorëve të rrezikut, të cilët mund t’i kontrolloni përfshihen:

  • Pirja e duhanit.
  • Mos-aktiviteti i mjaftueshëm fizik.
  • Pirja e sasive të mëdha të alkoolit.
  • Moskonsumimi i sasive të mjaftueshme të kalciumit dhe vitaminës D.

Cilat janë simptomat?

Osteoporoza mund të jetë në një stad të avancuar kur ju arriti ta kuptoni. Ndonjëherë shenja e parë e saj është një kockë e thyer në legen, shpinë ose kyçin e dorës pas ndonjë goditje ose rënie.

Derisa sëmundja përkeqësohet, ju mund të keni edhe shenja të tjera, si dhimbje në shpinë. Ju po ashtu mund ta vëreni se ju nuk jeni aq të gjatë sa keni qenë dhe se ju keni shtyllë kurrizore të lakuar.

Si diagnostikohet osteoporoza?

Mjeku juaj mund t’ju pyesë juve për simptomat dhe të bëjë ekzaminim fizik. Juve po ashtu mund t’ju kërkohet të bëni disa analiza për të kuptuar trashësinë e eshtrave tuaja (testin e dendësisë së eshtrave) si dhe riskun tuaj për frakturë.

Nëse analizat gjejnë se trashësia e eshtrave tuaja është më e vogël se normalja por nuk është osteoporozë, ju mund të keni osteopeni, një lloj më pak të ashpër të dobësimit të eshtrave.

Është e rëndësishme ta kuptoni dhe ta mjekoni osteoporozën sa më herët për të parandaluar thyerjet e eshtrave. Mjekët shpesh këshillojnë të bëhen analiza rutinë të dendësisë së eshtrave për femrat e moshës mbi 65 vjeçare. Nëse ju keni rrezik më të rritur për fraktura, është më mirë t’i bëni këto teste më herët. Ekspertët po ashtu sugjerojnë që meshkujt e moshuar të flasin me mjekët e tyre për osteoporozën dhe të bëjnë disa teste të dendësisë së eshtrave nëse ata janë në rrezik.

Simptomat

Në fazat e hershme të osteoporozës, ju mbase nuk do të keni simptoma. Derisa sëmundja përparon, ju mund të keni këto simptoma të lidhura me dobësimin e eshtrave, përfshirë:

  • Dhimbje shpine
  • Humbje në peshë dhe qëndrim i përkulur
  • Pjesë e sipërme e lakuar e shpinës (gungë në kurriz)
  • Thyerje (fraktura) të kockave të cilat mund të paraqiten pas lëndimeve të vogla, veçanërisht në legen, shpinë dhe kyç të dorës.
  • Fraktura të ngjeshura në kurriz të cilat mund të shkaktojnë dhimbje të padurueshme shpine. Por ndonjëherë këto fraktura shkaktojnë vetëm simptoma të vogla ose aspak simptoma.

Shkaktarët

Gjatë fëmijërisë dhe rinisë nën të 20-tat, qelizat e reja kockore shtohen më shpesh se sa vdesin ato ekzistuese. Pas moshës 30-vjeçare, ky proces fillon të përmbyset. Si pjesë natyrale e plakjes, kockat shkrihen dhe absorbohen më shpejt nga organizmi se sa krijohen të rejat, dhe kështu ata bëhen më të dobëta. Ju jeni më të prirë të keni osteoporozë nëse nuk keni arritur trashësinë ideale të kocave (dendësinë minerale të kockave) gjatë fëmijërisë dhe viteve të rinisë.

Te femrat, dobësimi i eshtrave shtohet rreth menopauzës, kur vezoret pakësojnë prodhimin e estrogjenit, një hormon që mbron kockat nga dobësimi.

Përndryshe testosteroni i mbron meshkujt nga dobësimi dhe humbja e indit kockor. Osteoporoza është karakteristike te meshkujt më të moshuar se 60 vjet, kur prodhimi i këtij hormoni bie. Edhe te meshkujt edhe te femrat: Sa më të moshuar bëhen, aq më shumë rriten gjasat për të zhvilluar osteoporozë.

Edhe mosmarrja e kalciumit dhe vitaminës D po ashtu kontribuon në dobësimin e eshtrave. Po ashtu tendenca për të pasur masë më të dobët kockore mund të trashëgohet nga prindërit te fëmijët.

Një person me eshtra të dobësuar mund të diagnostikohet me masë më të dobët se normalja, që quhet osteopeni. Kjo më vonë mund të përkeqësohet dhe të shndërrohet në osteoporozë.

/Mjeku.Net/