Sëmundjet me shkronjën: D

Degjenerimi makular është shkaktari kryesor i humbjes së rëndë të shikimit te njerëzit mbi 60 vjet. Ndodh atëherë kur pjesa e vogël qendrore e retinës – e njohur si makula, degjenerohet (shkatërrohet).

(Retina është ind i ndjeshëm në dritë që gjendet në pjesën e pasme të syrit). Meqenëse sëmundja zhvillohet me kalimin e moshës, njihet si degjenerimi makular i lidhur me moshën. Edhe pse degjenerimi makular thuajse kurrë nuk shkakton verbëri të plotë, kjo gjendje mund të jetë burim i paaftësisë së dukshme të të shikuarit.

Ekzistojnë dy forma të degjenerimit makular të lidhur me moshën:

  • Forma e thatë – karakterizohet nga prania e depozitimit të materialit të verdhë në makulë, që quhen ‘drusa’. Sasia e paktë e ‘drusave’ nuk shkakton ndryshime në shikim; megjithatë duke u rritur në madhësi dhe në numër, ato mund të çojnë deri të turbullimi ose shtrembërimi i shikimit, të cilin njerëzit e vërejnë gjatë leximit. Në format më të avancuara të degjenerimit të thatë makular, ndodh edhe hollimi i shtresës së qelizave të ndjeshme në dritë në makulë që dërgon deri te atrofia ose vdekja e indit. Te forma atrofike e degjenerimit të thatë makular, pacientët mund të kenë njolla të verbra në qendër të shikimit. Në stadet e avancuara, pacientët humbin shikimin qendror.
  • Forma e njomë – karakterizohet nga rritja e enëve anormale të gjakut nga horoidea nën makulë. Ndryshe quhet neovaskularizim horoidal. Këto enë të gjakut lëshojnë gjakun dhe lëngun brenda retinës, duke shkaktuar shtrembërimin e shikimit, i cili i bën vijat e drejta të duken të valëzuara, dhe po ashtu shfaqen njolla të verbra dhe humbje e shikimit qendror. Këto enë anormale të gjakut mund të çojnë deri te humbja e përhershme e shikimit qendror.

Shumica e pacientëve me degjenerim makular kanë formën e thatë të sëmundjes dhe nuk e humbin shikimin qendror. Megjithatë, forma e thatë e degjenerimit makular mund të dërgojë deri te shfaqja e formës së njomë (në 10 për qind të rasteve).

Është shumë e rëndësishme që njerëzit me degjenerim makular të monitorojnë me kujdes shikimin dhe të vizitohen rregullisht te oftalmologu.

Në fazat e hershme, degjenerimi makular mund të mos ketë simptoma dhe mund të jetë i pavërejtur derisa të përparojë ose të prekë të dy sytë. Simptoma e parë e degjenerimit makular zakonisht është një turbullim, një njollë e turbullt në mes të shikimit tuaj. Kjo njollë mund të bëhet më e madhe dhe më e errët me kalimin e kohës.

Simptomat e degjenerimit makular janë:

  • Zona të errëta dhe të turbullta në qendër të shikimit
  • Perceptim i dobësuar ose i ndryshuar i ngjyrave

Nëse përjetoni ndonjë nga këto simptoma, vizitoni një specialist për sy (oftalmolog) sa më shpejtë që është e mundur.