Sëmundjet me shkronjën: C

Çrregullimet menstruale nënkuptojnë çfarëdo ndryshimi brenda ciklit normal të menstruacioneve te një femër.

Cikli menstrual paraqet një seri ndryshimesh nëpër të cilin kalon trupi i një femre, për t’u përgatitur për shtatzëni.

Organet reproduktive femërore

Organi kryesor reproduktiv është mitra (uterusi). Ky është organ në formë dardhe i vendosur në mes të fshikëzës urinare dhe zorrës së trashë. Mitra përbëhet nga dy pjesë – trupit dhe qafës. Nga të dy anët e mitrës gjenden vezoret dhe vezëpërçuesit (tubat e Fallopit). Vezoret janë organe në të cilat prodhohen vezët. Shtresa apo muri i brendshëm i mitrës quhet endometrium, shtresat e të cilit, nëse femra nuk është shtatzënë, shkoqiten dhe dalin si një pjesë e gjakut menstrual së bashku me gjakun dhe sekrecionin e mitrës.

Fazat menstruale

Menstruacioni i parë (menarke) zakonisht paraqitet në moshën prej 12 deri 13 vjet. Hulumtimet më të reja, megjithatë, tregojnë se, sot, femrat hyjnë në pubertet më herët. Pesha e madhe është faktor i rrezikut për shfaqjen e pubertetit të hershëm. Gjatë një ose dy viteve të para, mundet që kohëzgjatja e ciklit menstrual të jetë e ndryshueshme dhe jo e rregullt. Pas kësaj kohe, cikli fillon të stabilizohet dhe të zgjasë rreth 28 ditë. Megjithatë, cikli normal mund të zgjasë edhe 20 deri 40 ditë. Mosha është faktor i rëndësishëm për ndryshimet e ciklit. Përafërsisht se cikli zgjat 33 ditë tek fermat më të reja se 21 vjet dhe, 26 ditë tek 40-vjeçaret. Cikli zgjatet sërish në moshën 46 vjeçare dhe arrin përafërsisht 31 ditë në moshën 49-vjeçare. Femrat që konsumojnë alkool rregullisht i kanë ciklet më të shkurta, ndërsa femrat me peshë më të vogël si dhe ato që merren me sport, më të gjata.

Kohëzgjatja e menstruacioneve

Kohëzgjatja e gjakderdhjes te femrat e moshës së re, përafërsisht zgjatë 6-7 ditë. Pas moshës 21 vjeçare, gjakderdhja zgjatë 5-6 ditë deri në menopauzë. Megjithatë, vlen të përmendet se rreth 5% e femrave të shëndosha kanë gjakderdhje më të shkurtër se 4 ditë, dhe 5% më gjatë se 8 ditë. Femrat me peshë më të vogël, sidomos ato që konsumojnë duhanin, kanë më shumë gjakderdhje, ndërsa ato që merren me sport, më pak. Femrat që përdorin spiralen (mjet kontraceptiv) zakonisht kanë gjakderdhje më të gjatë.

Menstruacionet, natyrisht, ndërpriten gjatë kohës së shtatzënisë. Disa femra vazhdojnë të kenë gjakderdhje jo të rregullta gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Gjakderdhjet e tilla mund të jenë kërcënim i dështimit (abortit), prandaj duhet patjetër t’i drejtohen mjekut. Gjatë kohës së gjidhënies femra rrallë mund të ketë ovulim deri në 8 javë pas lindjes. Pas këtij intervali menstruacionet zakonisht rikthehen dhe femra prapë është fertile (mund të mbetet shtatzënë). Menopauza është ndërprerja e menstruacioneve, e cila zakonisht shfaqet diku rreth moshës 51-vjeçare, kurse tek femrat që konsumojnë duhanin edhe më herët.

Çfarë janë çrregullimet menstruale?

Çdo ndryshim i skemës normale të menstruacioneve te një femër quhet çrregullim menstrual.

Amenorreja, mungesa e menstruacioneve

Amenorreja është mungesa e menstruacioneve. Dallojmë amenorrenë primare, atëherë kur fare nuk është paraqitur, dhe sekondare, kur menstruacionet në fillim kanë qenë të rregullta, por më vonë janë çrregulluar apo kanë munguar fare. Amenorreja konsiderohet atëherë kur menstruacionet nuk paraqiten së paku 3 cikle. Femrën, te e cila, menstruacionet nuk janë paraqitur deri në moshën 16-vjeçare, duhet dërguar te mjeku si dyshim në amenorrenë primare.

Oligomenorreja, ciklet e rralla dhe jo të rregullta

Ciklet e rralla dhe jo të rregullta (oligomenorreja) janë mjaft të shpeshta në pubertetin e hershëm dhe nuk janë për t’u shqetësuar. Po ashtu, gjakderdhja është e ndryshme, dikush gjakderdhë më pak e dikush më shumë. Ndonjëherë gjakderdhja mund të mungoj fare, ndërsa në muajin e ardhshëm të jetë më e madhe, që me siguri është pasojë e mungesës së ovulimit në ciklin paraprak. Brengosëse është nëse ciklet zgjasin më pak se 21 ditë, dhe gjakderdhjet më gjatë se 8-10 ditë ose, ciklet dukshëm ndryshojnë gjatë disa muajve. Këto raste tregojnë një problem me ovulimin.

Menorragjitë, gjakderdhjet e shumta

Gjakderdhjet e mëdha ose menorragjitë paraqiten te nëntë për qind deri 14 për qind te të gjitha femrat dhe mund të jenë pasojë e shumë problemeve.

Dismenorrea, ngërçet e forta menstruale

Te të gjitha femrat gjatë gjakderdhjes paraqiten kontraksionet (ngërçet) e mitrës, por te disa mund të jenë më intensive dhe më të shpeshta. Në ato raste flasim për dismenorre (menstruacionet e dhimbshme).