Sëmundjet me shkronjën: C

Çfarë është sëmundja e Crohn-it?

Sëmundja e Crohn-it është një prej dy formave kryesore të sëmundjeve të traktit gastrointestinal, të quajtura sëmundja e zorrëve të inflamuara (SZI). Forma tjetër, e quajtur koliti ulceroz, prek zorrën trashë, që përfshin kolonin dhe rektumin (pjesa fundit e zorrës së trashë, e cila çon në anus).

Gjatë sëmundjes së Crohn-it, inflamacioni kronik (që zgjat një kohë të gjatë) mund të shkaktojë paraqitjen e indit të dhëmbëzuar (të luspuar) në mbështjellësin e brendshëm të zorrës. Kur krijohet indi i dhëmbëzuar, rrugët mund të bëhen të ngushta, duke bërë që ushqimi dhe jashtëqitja të lëvizin nëpër traktin gastrointestinal më ngadalë, e që mund të çojë në dhimbje, ngërçe dhe diarre.

Kush preket nga sëmundja e Crohn-it?

Edhe meshkujt edhe femrat mund të preken nga sëmundja e Crohn-it, dhe kjo mund të përcillet nëpër familje. Njerëzit me sëmundje të Crohn-it mund të kenë dikë të afërt me këtë sëmundje ose me llojin tjetër të SZI. Sëmundja e Crohn-it më së shpeshti fillon nga mosha 13 deri në moshën 30 vjeçe.

Shkaktarët

Shkencëtarët ende janë duke i studiuar shkaktarët e mundshëm të sëmundjes së Crohn-it.

Sistemi natyral mbrojtës i organizmit, i quajtur në mjekësi si sistemi imun, mbron secilin person nga infeksionet duke luftuar bakteret, viruset dhe gjërat të tjera të cilat e bëjnë personin të sëmurë. Shkencëtarët besojnë se te sëmundja e Crohn-it, sistemi imun sulmon bakteret dhe viruset e padëmshme. Gjatë këtij sulmi, qelizat e bardha të gjakut mblidhen në mbështjellësin e zorrëve. Qelizat e bardha shkaktojnë inflamacion kronik (të vazhdueshëm), që çon në ulcerë, dhimbje dhe dëmtime në zorrë.

Faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjen e Crohn-it janë:

  • Gjenet – ajo çfarë ju trashëgoni nga prindërit tuaj, dhe
  • Stimulues të panjohur të shkaktuar nga ambienti ku personi jeton.

Simptomat

Simptomat e sëmundjes së Crohn-it mund të jenë të ndryshme për secilin person. Shumica e simptomave të sëmundjes së Crohn-it janë:

  • Dhimbja abdominale – shpesh në pjesën e poshtme të djathtë të abdomenit
  • Diarre
  • Gjakderdhje në rektum, që mund të shihet në brekët e personit, në tualet, ose në jashtëqitje. Gjakderdhja rektale mund të jetë serioze dhe mund të mos ndalojë pa ndihmën e barnave.
  • Rënie në peshë
  • Temperaturë.