Studime dhe Hulumtime

Fëmijët që lindin nga gra që vuajnë nga kistet në mitër janë të rrezikuar për të shfaqur çrregullime të spektrit autik. Ky është përfundimi i një studimi të kryer në Suedi nga Instituti “Karolinska”.

Rezultatet janë publikuar në revistën “Molecular Psychiatry”. Studimi është i pari që demonstron lidhjen mes sindromës policistike të nënave me çrregullimet e spektrit autik te fëmijët e tyre.

Këto çrregullime përfshijnë ndërveprimin social, të folurit apo sjelljet përsëritëse. Shkaqet e kësaj sindrome nuk janë tërësisht të qarta, por ka disa të dhëna që e lidhin ekspozimin ndaj hormoneve të seksit në fazën e hershme të jetës me rrezikun e zhvillimit të saj.

Këto hormone, që njihen ndryshe si androgjene, janë përgjegjëse për zhvillimin e sjelljeve tipike. Ato ndikojnë edhe në zhvillimin e trurit dhe sistemit nervor qendror.

Studiuesit kanë përdorur të dhënat në shkallë vendi për gjendjen shëndetësore të fëmijëve nga mosha 4-17 vjeç, të lindur nga viti 1984 deri në vitin 2007.

Sipas tyre, një nënë që vuan nga sindroma policistike në mitër ka 59 % më shumë rrezik për të lindur një fëmijë autik se një nënë e shëndetshme.

Pavarësisht të rejave që sjell studimi në kërkimet për shkaqet e autizmit, ai nuk shpjegon se pse numri i djemve që vuajnë nga këto çrregullime është katër herë më i madh se i vajzave.